Mjekët e Sudanit: 177 mijë civilë të bllokuar në El-Fasher të Sudanit mes vrasjeve masive nga RSF-ja
Shoqata raportoi shkelje të përhapura nga RSF-ja, duke përfshirë "ekzekutime të shpejta, bastisje shtëpi më shtëpi, dhunë seksuale dhe detyrimin e viktimave për të hapur varret e tyre dhe për t'u varrosur të gjallë"
 
                Khartoum/Stamboll
Rreth 177 mijë civilë mbeten të bllokuar në qytetin sudanez El-Fasher të pushtuar nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) gjatë fundjavës, mes raporteve për vrasje masive dhe spastrim etnik nga forca paraushtarake, transmeton Anadolu.
"RSF-ja kreu një masakër të tmerrshme kundër civilëve të paarmatosur në baza etnike në një krim spastrimi racor. Raportet nga ekipet tona në terren tregojnë se numri i viktimave vlerësohet në mijëra, mes vështirësive të rënda në komunikim dhe pasigurisë totale", tha Unioni i Mjekëve të Sudanit në një deklaratë të mërkurën vonë.
Shoqata raportoi shkelje të përhapura nga RSF-ja, duke përfshirë "ekzekutime të shpejta, bastisje shtëpi më shtëpi, dhunë seksuale dhe detyrimin e viktimave për të hapur varret e tyre dhe për t'u varrosur të gjallë".
Sipas shoqatës, gati 2 mijë civilë u vranë brenda pak orësh nga hyrja e grupit rebel në qytet.
Të dielën, RSF-ja pushtoi qytetin El-Fasher pas përleshjeve të ashpra me ushtrinë sudaneze në qytetin i cili ishte nën rrethim nga grupi rebel që nga maji i vitit 2024.
"Njerëz të pafajshëm u ekzekutuan duke u djegur të gjallë, ndërsa 177 mijë civilë mbeten të bllokuar, ku shumica besohet se i janë nënshtruar vrasjeve masive", tha sindikata.
Gati 28 mijë sudanezë janë zhvendosur brenda 48 orëve, pasi 1 mijë prej tyre mbërritën në qytetin Tawila.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), më shumë se 36 mijë njerëz ikën nga El-Fasheri midis 26 dhe 29 tetorit.
RSF-ja kreu sulme të vazhdueshme duke shëjnestruar rrugët e arratisjes për të parandaluar civilët të arrinin në zona të sigurta dhe "ata që përpiqeshin të iknin me makinë u dogjën të gjallë brenda automjeteve të tyre".
Mjekët konfirmuan raportet e mëparshme nga disa grupe lokale mbi mizoritë e RSF-së që shënjestronin sistemin e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit mjekësorë.
"Masakra në Spitalin Saudit në El-Fasher dëshmoi ekzekutimin në terren të mbi 450 pacientëve dhe individëve të plagosur që ishin brenda spitalit, së bashku me rreth 1.200 të moshuar, të plagosur dhe pacientë në mjediset mjekësore në terren", tha shoqata.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 1.200 punonjës shëndetësorë dhe pacientë u vranë dhe 416 u plagosën në 185 sulme të verifikuara të RSF-së që nga fillimi i luftës në prill të vitit 2023.
Shoqata dënoi fuqishëm "masakrën e tmerrshme dhe kolapsin total humanitar" në El-Fasher dhe pohoi se "këto akte përbëjnë gjenocid, spastrim sistematik etnik dhe krime lufte të plota, duke iu shtuar historikut të gjatë të mizorive të milicisë në Darfur".
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave humanitare të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre dhe të mbrojnë popullin sudanez.
Ushtria dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë civile që nga prilli i vitit 2023. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur mbi 15 milionë të tjerë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni. 
             
 
             
                                     
                                     
                                     
                                     
                                    