Bota

Miyar, viktima e vogël e bllokadës së Izraelit në Gaza "nuk ka më forcë të qëndrojë në këmbë"

"Që kur u prek nga kequshqyerja, ajo pushoi së foluri, së ecuri dhe së luajturi me vëllezërit dhe motrat e saj. Ajo gjithmonë fle përmbys. Kam frikë se mos e humb vajzën time", u shpreh Esma, nëna e vogëlushes

Gülşen Topçu, Doaa Albaz  | 20.05.2025 - Përdıtësım : 20.05.2025
Miyar, viktima e vogël e bllokadës së Izraelit në Gaza "nuk ka më forcë të qëndrojë në këmbë"

Gaza

Vogëlushja një vjeç e gjysmë, Miyar al-Arca, po lufton për jetë pasi ka humbur pothuajse gjysmën e masës trupore në Rripin e Gazës ku Izraeli ka lënë popullatën në uri duke mbajtur pikat kufitare të mbyllura për 80 ditë, raporton Anadolu.

Kriza e urisë në Gaza, ku Izraeli nuk lejon qasje në ndihmën humanitare bazë dhe karburante, ka marrë kthesë tragjike. Në Gaza, ku furrat e bukës janë mbyllur dhe 68 mensa për të varfrit dhe qendra shpërndarjeje ushqimi janë bombarduar, kequshqyerja prek veçanërisht nënat dhe fëmijët.

Kequshqyerja tek nënat bën që fëmijët të lindin me defekte të lindjes që në fillim. Ndërsa ata që lindin preken nga infeksionet e zorrëve, janë të prirur ndaj humbjes së shpejtë të peshës dhe humbjes së masës muskulore, nuk janë në gjendje të përfundojnë zhvillimin e tyre mendor dhe fizik, madje edhe vdesin.

- Nevojiten 500 kamionë me ndihma çdo ditë

Sipas zyrës qeveritare të medias në Gaza, 57 palestinezë, kryesisht fëmijë kanë vdekur nga uria që nga 7 tetori 2023, ndërsa rreth 65.000 fëmijë përballen me rrezikun e vdekjes.

Për të shpëtuar jetën e afër 2.4 milionë njerëzve, 500 kamionë me ndihma humanitare dhe 50 kamionë me karburant duhet të hyjnë në Gaza çdo ditë. Ndërsa 44.000 kamionë duhet të kishin hyjnë në Gaza brenda 80 ditësh, numri i kufizuar i kamionëve që hyjnë përmbush vetëm 0.02 për qind të nevojës aktuale.

- Miyar nuk ka ngrënë proteina 4-5 muaj

Spitali "Nasser" në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës është plot me fëmijë të diagnostikuar me kequshqyerje, të cilët po trajtohen me burime të kufizuara.

Një prej tyre është vogëlushja Miyar, pesha e të cilës ka rënë nga 12 kilogramë në 6,9 kilogramë. E diagnostikuar me kequshqyerje akute dhe alergji ndaj grurit, Miyar nuk mund të ketë qasje në ushqime të tilla si mishi, peshku, perimet dhe frutat për shkak të mbylljes së pikave kufitare.

Esma, nëna e vogëlushes tha se nuk mund të gjejnë produktet që përmbajnë proteina për të cilat vajza e saj ka nevojë. Ajo thekson se çmimet e produkteve në treg janë shumë të larta. "Prej 4-5 muajsh Miyar nuk ka ngrënë një vakt të mirëfilltë, mish apo produkt qumështi", tha Esma.

- Tashmë nuk ka më forcë të ecë dhe të flasë

Humbja e një pjese të konsiderueshme të masës muskulore dhe rënia e tepërt në peshë, ndikojnë në aktivitetet jetësore të vogëlushes Miyar.

Nëna palestineze Esma tregon se vajza e saj dikur kishte fytyrë të plotë, por tani kockat e saj mund të shihen sepse nuk mund të gjejnë ushqim për ta ndihmuar të ngrihet dhe të rifitojë shëndetin.

"Vajza ime nuk ishte kështu. Që kur u prek nga kequshqyerja, ajo pushoi së foluri, së ecuri dhe së luajturi me vëllezërit dhe motrat e saj. Ajo gjithmonë fle përmbys. Kam frikë se mos e humb vajzën time", u shpreh Esma.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın