Ministrja izraelite ndan video të përgatitur me AI që tregon dëbimin e palestinezëve nga Gaza
- Ministrja izraelite e Inovacionit, Shkencës dhe Teknologjisë, Gila Gamliel, publikoi videon në rrjetet sociale me titull: “Kështu do të duket Gaza në të ardhmen” dhe me mesazhin: “O ne, o ata (palestinezët)”.

Ankara
ANKARA (AA) – Ministrja izraelite e Inovacionit, Shkencës dhe Teknologjisë, Gila Gamliel, ndau një video të krijuar me inteligjencë artificiale (AI) ku paraqiten palestinezët si të dëbuar nga Rripi i Gazës, duke e shoqëruar me mesazhin: “O ne, o ata (palestinezët)”, transmeton Anadolu.
Gamliel publikoi videon në rrjetet sociale me titull: “Kështu do të duket Gaza në të ardhmen”.
Në video shihet rindërtimi i godinave, rrugëve dhe shesheve të Gazës të shkatërruara nga sulmet izraelite, si dhe ngritja e rrokaqiejve.
Në video shfaqet edhe një qendër biznesi me emrin e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe ndërtimi i shumë kafeneve dhe bareve përgjatë bregut të Gazës.
Gjithashtu, në video shihen kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu me bashkëshorten Sara Netanyahu dhe Donald Trump me bashkëshorten Melania, duke shëtitur në bregun e Gazës.
Në postimin e saj, Gamliel ka rikujtuar se më 13 tetor 2023, një javë pas fillimit të sulmeve, kishte propozuar në kabinetin izraelit dëbimin e palestinezëve nga Gaza drejt vendeve të tjera, duke shtuar: “’Migrimi vullnetar’ i banorëve të Gazës është i mundur vetëm me Trumpin dhe Netanyahun”.
- Qeveria izraelite vazhdon të këmbëngulë në planin për dëbimin e palestinezëve
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yisrael Katz, ka njoftuar se i ka dhënë udhëzime Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, për përgatitjen e një plani për ndërtimin e një “qyteti të ndihmës humanitare” në Rafah me qëllim dëbimin e palestinezëve drejt vendeve të tjera.
Katz ka thënë se sipas planit, në fazën e parë synohet dëbimi i 600 mijë palestinezëve, e më pas i gjithë popullsisë së Rripit të Gazës, dhe se për këtë do të ngrihet një “kamp me tenda”.
Ai ka theksuar se palestinezët që hyjnë në atë zonë nuk do të lejohen të kthehen në pjesë të tjera të Gazës, duke shtuar se ky veprim është “shumë i rëndësishëm për Izraelin” për të zbatuar dëbimin e palestinezëve në vende të tjera nën emrin “migrim vullnetar”.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar këtë plan, duke e përshkruar si një “kamp përqendrimi” dhe jo si një “qytet humanitar”, pasi Izraeli, sipas tyre, synon t’i mbledhë palestinezët nën kërcënimin e armës dhe kontrollit të ndihmave humanitare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.