Ministrja Gërvalla në Stamboll: Turqia mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit
Ministrja Gërvalla tha se Republika e Turqisë, si mike e ngushtë dhe aleate e vërtetë e Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal
Prishtinë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan në kuadër të takimit të Platformës së Dytë të Paqes në Ballkan, transmeton Anadolu.
Ministrja Gërvalla nëpërmjet rrjeteve sociale tha se Republika e Turqisë, si mike e ngushtë dhe aleate e vërtetë e Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
“Republika e Kosovës, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin e saj strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe përkushtimin për paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal”, tha Gërvalla.
Ministrja kosovare po ashtu bëri të ditur se në takim ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt.
“Falënderova Ministrin Fidan për ftesën, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë si dhe rolin e Turqisë në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, shtoi Gërvalla.
Takimi i Dytë i Platformës së Paqes së Ballkanit mbahet sot në Stamboll, nën mikpritjen e kryediplomatit të Turqisë, Hakan Fidan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
