Ministria e Shëndetësisë e Libanit do të evakuojë spitalet në Bejrutin jugor mes përshkallëzimit të Izraelit
Ministria libaneze gjithashtu u kërkoi spitaleve në Malin Liban dhe në zona të tjera të paprekura që të pezullojnë rastet jo urgjente deri në fund të javës për të akomoduar pacientë nga periferitë jugore
Bejrut
Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka bërë të ditur planet për të evakuuar spitalet në Bejrutin jugor, derisa sulmet ajrore izraelite në rajon po përshkallëzohen, transmeton Anadolu.
Ministria libaneze gjithashtu u kërkoi spitaleve në Malin Liban dhe në zona të tjera të paprekura që të pezullojnë rastet jo urgjente deri në fund të javës për të akomoduar pacientë nga periferitë jugore.
Evakuimi vjen pas më shumë se 40 sulmeve ajrore izraelite që shënjestruan lagjet Burj al-Barajneh, Kafaat, Choueifat, Hadath dhe Lailaki. Sulme shkaktuan shkatërrim të gjerë dhe zjarre, duke shënuar bombardimet më të rënda në Bejrutin jugor që nga lufta e vitit 2006 midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Ushtria izraelite tha se sulmet ajrore kishin në shënjestër pozitat e Hezbollahut, duke përfshirë objektet e supozuara të ruajtjes së armëve. Hezbollahu i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se ndërtesat e goditura nuk janë përdorur për qëllime ushtarake.
Sipas Qendrës së Operacioneve Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, deri më tani, shpërthimet kanë vrarë gjashtë persona dhe kanë plagosur 91 të tjerë.
Sulmet e Izraelit janë pjesë e një fushate më të gjerë kundër Hezbollahut, e cila është intensifikuar gjatë vitit të kaluar. Që nga ringjallja e konfliktit, në Liban kanë humbur jetën 726 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, me mbi 2.100 të tjerë të plagosur.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ku janë vrarë të paktën 41.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e kthimit të konfliktit të Gazës në një luftë rajonale.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.