Bota

Ministria e Jashtme e Sirisë: Kina do të rihapë ambasadën e saj në Damask në fillim të vitit 2026

Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë tha se ka filluar një proces premtues, veçanërisht në aspektin e ringjalljes së tregtisë dhe riaktivizimit të misioneve diplomatike

Muhammed Karabacak  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 24.11.2025
Ministria e Jashtme e Sirisë: Kina do të rihapë ambasadën e saj në Damask në fillim të vitit 2026 Foto: Izz Aldien Alqasem/AA

Damask

Kina do të rihapë ambasadën e saj në Damask në fillim të vitit 2026 dhe do t'i ofrojë ndihmë popullit sirian.

Zëvendësdrejtori i Departamentit për Rusinë dhe Evropën Lindore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë, Eshhad Salibi, në një deklaratë për Anadolu foli për vizitën e tyre në Kinë,

Salibi deklaroi se takimet e tyre në Kinë përfaqësojnë fillimin e një epoke të re në politikën e jashtme të Sirisë, duke shtuar se ka filluar një proces premtues, veçanërisht në aspektin e ringjalljes së tregtisë dhe riaktivizimit të misioneve diplomatike.

Pas Rusisë, sipas tij, edhe Kina ka hedhur hap në këtë drejtim. "Përderisa rusët ofruan mbështetje politike, ushtarake dhe ekonomike, Kina ofroi mbështetje politike vetëm në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe platforma të tjera ndërkombëtare. Më 8 dhjetor (kur u përmbys regjimi Baath), Kina mbylli kufijtë e saj dhe zhvendosi ambasadën e saj në Liban. Marrëdhëniet nuk janë rikthyer në nivelet e tyre të mëparshme që atëherë", tha ai.

Salibi tha se vizita hapi dyer të reja me Kinën, anëtaren e pestë të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke shtuar: "Ne nuk duam probleme apo kriza vetoje lidhur me çështjen siriane".

Ai tha se Siria synon të jetë një shtet që vendos marrëdhënie të forta, të qëndrueshme dhe strategjike me të gjitha vendet dhe që zbaton një program diplomatik të ekuilibruar dhe efektiv.

Salibi deklaroi se vëllimi tregtar midis Sirisë dhe Kinës arriti në 1,5 miliard dollarë para vitit 2011, duke përbërë 8-9 për qind të buxhetit të vendit, dhe se Siria, e cila po i nënshtrohet rindërtimit, ka shumë nevojë për kompani, mallra dhe burime kineze.

Duke treguar se është bërë e nevojshme të bëhen rregullime dhe marrëveshje të ndryshme me administratën kineze, Salibi njoftoi se vendimi për rihapjen e Ambasadës Kineze në Damask u mor gjithashtu në kuadër të vizitës së fundit.

"Ministri i Jashtëm kinez premtoi 380 milionë juanë ndihmë për popullin sirian dhe dha udhëzime të qarta dhe vendime politike për të rihapur ambasadën në Damask", theksoi ai.


- Vështirësitë me të cilat përballen sirianët në marrjen e vizave kineze

Duke theksuar se biznesmenët dhe studentët sirianë po hasin vështirësi të mëdha në marrjen e vizave kineze, ai tha se për këtë arsye ata po kërkojnë që procesi për hapjen e ambasadës kineze të përshpejtohet.

Salibi tha se investimet kineze në Siri janë një nga çështjet më kritike në aspektin e rindërtimit të vendit dhe kthimit në sistemin ndërkombëtar, dhe se Kina ka interesa në shumë fusha ekonomike si bujqësia, energjia, transporti, infrastruktura dhe teknologjia.

Duke folur për lajmin e agjencisë franceze të lajmeve AFP me pretendimet se qeveria siriane "kishte ndërmend t'ia dorëzonte Kinës mbi 400 luftëtarë ujgurë" të cilën e cilësoi si "pa cituar asnjë burim", Salibi tha: "Lexova lajmet pas takimit dhe dorëzimi i individëve të kërkuar apo ndonjë çështje e ngjashme nuk u diskutua, dhe as nuk u ishte në agjendë".

Zëvendësdrejtori i Departamentit për Rusinë dhe Evropën Lindore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë, kujtoi gjithashtu deklaratat e Presidentit Ahmed el-Sharaa dhe Ministrit të Jashtëm Asaad al-Shaibani, duke deklaruar se "Siria nuk do të përbëjë kërcënim për asnjë vend dhe territori sirian nuk do të përbëjë kërcënim për Kinën apo ndonjë vend tjetër".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın