Bota

Ministri sirian shpjegon investimin 7 miliardë dollarësh ku marrin pjesë kompani turke

"Me heqjen e barrierave të sanksioneve, investitorët po ndërmarrin hapa më të guximshëm", tha ministri sirian i Energjisë, Muhammed al-Bashir

Muhammed Karabacak, Ömer Koparan  | 30.05.2025 - Përdıtësım : 31.05.2025
Ministri sirian shpjegon investimin 7 miliardë dollarësh ku marrin pjesë kompani turke

Damask

Ministri sirian i Energjisë, Muhammed al-Bashir deklaroi se ata nënshkruan një nga marrëveshjet më gjithëpërfshirëse dhe të rëndësishme në sektorin e energjisë në vend deri më sot.

Ministri Al-Bashir në një prononcim për Anadolu foli mbi marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik prej 7 miliardë dollarësh të nënshkruar dje në Damask midis Ministrisë siriane të Energjisë dhe një konzorciumi të përbërë nga Kalyon Holding dhe Cengiz Holding nga Turqia, UCC nga Katari dhe kompania Power International me seli në SHBA.

"Brenda fushëveprimit të marrëveshjes do të ndërtohen 4 termocentrale me gaz natyror dhe një termocentral me energji diellore. Synojmë të arrijmë kapacitet total prodhimi prej 5.000 megavatësh me këto projekte", tha Al-Bashir.

- "Do të kemi kapacitet total prodhimi prej 5 mijë megavatësh"

Ministri sirian tha se kjo marrëveshje është fillimi i procesit të investimeve në Siri duke paralajmëruar përmirësim rrënjësor në furnizimin me energji.

Ai shtoi se investimet në fjalë do të rrisin cilësinë e shërbimit, do të krijojnë mundësi punësimi dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në përgjithësi. "Marrëveshja do të mbulojë ngritjen e 4 termocentraleve me gaz natyror dhe një termocentrali me energji diellore. Do të kemi kapacitet total prodhimi prej 5.000 megavatësh", tha Al-Bashir.

Sipas tij, shumë kompani donin të investonin në sektorë të ndryshëm por pengesa më e madhe para tyre ishin sanksionet. "Me heqjen e barrierave të sanksioneve, investitorët po ndërmarrin hapa më të guximshëm", tha ai.

Al-Bashir potencoi se marrëveshja e nënshkruar është shembulli më konkret i këtij procesi dhe se projektet që do të zhvillohen me partneritetin e një kompanie amerikane, dy kompanive turke dhe një kompanie katariane mbartin një mesazh të rëndësishëm besimi lidhur me investimet në Siri.

- "Marrëveshja është thirrje e hapur për të gjithë sektorët"

Duke iu referuar bashkëpunimit të zhvilluar me Turqinë dhe Jordaninë në fushën e energjisë, Al-Bashir tha se puna për furnizimin me gaz natyror është duke vazhduar.

"Puna jonë për të vënë në funksion një linjë të re lidhjeje të energjisë elektrike prej 400 kilovoltësh me Turqinë dhe Jordaninë vazhdon. Qëllimi ynë është të sigurojmë rritje të ndjeshme të kohës së furnizimit dhe përdorimit në muajt e parë të vitit të ardhshëm", tha ministri sirian i Energjisë.

Al-Bashir tha se sasia e energjisë elektrike që aktualisht arrin në shtëpitë në të gjithë Sirinë është rreth 1.500 megavat dhe se energjia elektrike mund të sigurohet mesatarisht 3 deri në 4 orë në ditë.

"Kjo marrëveshje është thirrje e hapur për të gjithë sektorët. Siria tani është vend i gatshëm për investime. Mundësitë janë të mëdha, kompanitë kanë filluar të rreshtohen", theksoi Bashir.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın