Ministri sirian i Informacionit: Marrëveshja e integrimit me YPG-në do të hyjë në fuqi të hënën
Ministri Hamza al-Mustafa thotë se anëtarët e SDF-së do të integrohen "individualisht" në brigadat ushtarake që do të jenë nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes
Stamboll
Ministri sirian i Informacionit deklaroi të premten se marrëveshja për armëpushim dhe integrim me organizatën terroriste YPG/SDF do të hyjë në fuqi të hënën, duke e përshkruar marrëveshjen si një hap drejt konsolidimit të autoritetit shtetëror dhe uljes së tensioneve në verilindje të vendit, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për televizionin privat Syria TV, Hamza al-Mustafa tha se Damasku synoi të ndërmarrë një “hap pozitiv” me këtë marrëveshje dhe se situata në Siri, pas rimarrjes së kontrollit në Deir ez-Zor dhe Raka, “nuk është më si më parë”.
Ai tha se marrëveshja e fundit, që lidhet me qytetet Hasakah dhe Qamishli si dhe me integrimin e forcave ushtarake, ndërtohet mbi një marrëveshje të mëparshme të arritur më 18 janar, duke shtuar se marrëveshja e re përcakton mekanizmat praktikë të zbatimit.
Më 18 janar, qeveria dhe grupi terrorist SDF arritën një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon t’i japë fund përballjes ushtarake në verilindje të Sirisë dhe të rikthejë autoritetin e plotë shtetëror mbi rajonet kyç në lindje të lumit Eufrat.
Ajo marrëveshje parashikonte një kornizë që kombinonte një armëpushim të menjëhershëm me riintegrim administrativ, ushtarak dhe institucional të SDF-së nën autoritetin e Damaskut.
Sipas marrëveshjes së re, tha al-Mustafa, anëtarët e SDF-së do të integrohen “individualisht” në brigada ushtarake që do të jenë nën Ministrinë e Mbrojtjes. Ai tha se zbatimi i marrëveshjes do të nisë të hënën dhe se drejtori i sapoemëruar i sigurisë në Hasakah do të marrë detyrën po atë ditë.
Al-Mustafa shtoi se qeveria do të marrë gjithashtu kontrollin e fushave naftëmbajtëse të Rmeilanit dhe al-Suwaydiyahs, si dhe të aeroportit të Qamishlit, brenda dhjetë ditësh.
Ai tha se SDF-ja ka tentuar të paraqitet si përfaqësuesi i vetëm i kurdëve sirianë dhe ta politizojë këtë çështje.
Sipas tij, qeveria kohët e fundit është takuar me delegacione kurde nga rryma të ndryshme politike, përfshirë Këshillin Kombëtar Kurd, për të diskutuar çështjet që prekin komunitetin kurd.
Ministri tha se qeveria beson se tani ekziston një mundësi për ta zbatuar marrëveshjen në mënyrë që të përfitojnë të gjitha palët dhe se uniteti i Sirisë “nuk është më në rrezik siç ishte më parë”.
Më herët të premten, qeveria njoftoi se kishte arritur një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” me SDF-në, e cila do t’i jepte fund ndarjes së brendshme dhe do të vendoste bazat për integrim të plotë.
Marrëveshja parasheh një armëpushim mes forcave qeveritare dhe elementëve të SDF-së, si dhe integrimin gradual të strukturave të tyre ushtarake dhe administrative.
Si pjesë e marrëveshjes, palët ranë dakord për “tërheqjen e forcave ushtarake nga vijat e kontaktit dhe vendosjen e forcave të sigurisë të lidhura me Ministrinë e Brendshme siriane në qendrat e qyteteve Hasakah dhe Qamishli, me qëllim forcimin e stabilitetit”.
Më 16 janar, presidenti Ahmad al-Sharaa nxori një dekret që konfirmon se kurdët sirianë janë pjesë përbërëse e popullit sirian dhe se identiteti i tyre kulturor dhe gjuhësor përbën një komponent thelbësor të identitetit të unifikuar kombëtar të Sirisë.
Ushtria siriane nisi një operacion kundër SDF-së më 16 janar në zonat në perëndim të lumit Eufrat. Operacioni më pas u zgjerua në lindje të lumit me pjesëmarrjen e forcave fisnore, duke bërë që shumica e territoreve që më parë kontrolloheshin nga grupi të kalojnë nën kontrollin e qeverisë.
