Ministri izraelit urdhëron përgatitjen e një plani kundër Hamasit në rast të prishjes së armëpushimit
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz ka udhëzuar ushtrinë izraelite të "përgatisë një plan gjithëpërfshirës" kundër Hamasit nëse prishet armëpushimi në Gaza

Stamboll
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz ka udhëzuar ushtrinë izraelite të "përgatisë një plan gjithëpërfshirës" kundër Hamasit nëse prishet armëpushimi në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve të medias izraelite, Katz zhvilloi një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir dhe gjeneralë të lartë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes e ka udhëzuar ushtrinë të "përgatisë një plan për të mposhtur plotësisht Hamasin nëse Hamasi braktis planin e tij të armëpushimit dhe sulmet rifillojnë".
Duke vënë në dukje se plani i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën përfshin çarmatosjen e Gazës, Katz deklaroi se Izraeli do të ndërmarrë veprime së bashku me forcën ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA-ja për të shkatërruar tunelet në Gaza.
Katz tha se nëse Hamasi refuzon të zbatojë marrëveshjen, Izraeli do të rifillojë sulmet nën koordinimin e SHBA-së.
- Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi më 9 tetor se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave të vazhdueshme në Egjipt.
Marrëveshja u nënshkrua në Egjipt ku u zhvilluan negociatat dhe hyri në fuqi më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga "Vija e Verdhë" siç përcaktohej në marrëveshje, armëpushimi në Rripin e Gazës hyri në fuqi në orën 12:00 të po asaj dite.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.