Ministri izraelit pretendon: Ka ardhur koha për "aneksimin" e Bregut Perëndimor
Ministri izraelit i Drejtësisë, Yariv Levin pretendon se "ka ardhur koha për aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli dhe se kjo mundësi nuk duhet humbur"

Ankara
Ministri izraelit i Drejtësisë, Yariv Levin pretendon se "ka ardhur koha për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe se kjo mundësi nuk duhet humbur", transmeton Anadolu.
Sipas mediave lokale, Levin u takua me Yossi Dagan, një nga udhëheqësit e izraelitëve që uzurpojnë tokat palestineze në Bregun Perëndimor.
Gjatë takimit, Levin foli për "aneksimin" e Bregut Perëndimor nga Izraeli. "Mendoj se kjo periudhë, përtej problemeve aktuale, është një mundësi historike që nuk duhet ta humbasim", tha ai.
Pasi tha se "ka ardhur koha për aneksimin" e Bregut Perëndimor, Levin theksoi se kjo çështje "duhet të jetë në krye të listës së prioriteteve të Izraelit".
Shumë ministra në qeverinë e ekstremit të djathtë të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu mbështesin "aneksimin" e Bregut Perëndimor nga Izraeli.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich tha në nëntor 2024 se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së do të "ofronte shans për aneksimin" e vendbanimeve në tokat palestineze të pushtuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor.