Bota

Ministri izraelit, Katz: Nuk do të tërhiqemi plotësisht nga Gaza

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz tha se ata nuk do të tërhiqen nga i gjithë Rripi i Gazës dhe do të rivendosen në Gazën veriore në një kohë të përshtatshme

Mustafa Deveci  | 23.12.2025 - Përdıtësım : 23.12.2025
Ministri izraelit, Katz: Nuk do të tërhiqemi plotësisht nga Gaza

Ankara

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz tha se ata nuk do të tërhiqen nga i gjithë Rripi i Gazës dhe do të rivendosen në Gazën veriore në një kohë të përshtatshme, transmeton Anadolu.

Sipas mediave lokale, Katz mori pjesë në festën që shënonte ndërtimin e 1.200 shtëpive të reja në tokën palestineze të sekuestruar në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Katz tha se Izraeli nuk do të tërhiqet plotësisht nga Gaza pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit. Në kundërshtim me deklaratat e mëparshme nga qeveria izraelite pas armëpushimit, Katz tha se ata do të vazhdojnë pushtimin në disa pjesë të Gazës.

"Kur të vijë koha, ne do të krijojmë stacione policore në Gazën veriore për të zëvendësuar vendbanimet e evakuuara (të paligjshme hebraike). Ne do ta bëjmë këtë në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur", shtoi ai.

Faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin kërkon që ushtria izraelite të largohet nga të gjitha zonat e Gazës. Izraeli pushtoi Rripin e Gazës në betejën e njohur si "Lufta gjashtëditore" e vitit 1967.

Duke vazhduar pushtimin e tij, Izraeli ka sekuestruar tokën palestineze dhe ka ndërtuar vendbanime të paligjshme hebraike në shumë zona në Gaza. Këto vendbanime të paligjshme u evakuuan nga Izraeli në vitin 2005.

Disa shoqata dhe organizata, të mbështetura nga disa ministra në kabinetin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, mbështesin rindërtimin e këtyre vendbanimeve të paligjshme në Gaza dhe vendosjen e kolonëve izraelitë atje.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın