Ministri izraelit i Mbrojtjes pretendon se është vrarë komandanti i Marinës së IRGC-së së Iranit
Katz tha se Alireza Tangsiri është "eliminuar", së bashku me të gjithë zyrtarët e lartë të komandës së marinës
Stamboll
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz pretendon se komandanti i Marinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit është vrarë në një sulm ajror, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit izraelit "Channel 12", Katz tha se Alireza Tangsiri është "eliminuar", së bashku me të gjithë zyrtarët e lartë të komandës së marinës.
Pretendimi erdhi menjëherë pasi një zyrtar izraelit tha se Tangsiri u vra në një sulm ajror në qytetin jugor iranian Bandar Abbas, duke shtuar se komandanti iranian ishte përgjegjës për mbylljen e Ngushticës strategjike të Hormuzit.
Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga Irani për pretendimin izraelit.
Ngushtica e Hormuzit është e kufizuar ndjeshëm që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë zakonisht çdo ditë përmes saj dhe ndërprerja e saj ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë në rritje çmimet globale të naftës.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani mbi 1.340 persona, përfshirë edhe ish-liderin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.
