Ministri izraelit i ekstremit të djathtë kërkon nga Netanyahu të tërheqë delegacionin negociator nga Katari
- Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, bëri thirrje që të largohet nga Katari delegacioni izraelit i cili po zhvillon negociata indirekte me Hamasin në Doha për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim në Gaza

Ankara
ANKARA (AA) - Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i ka kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të tërheqë delegacionin izraelit që po zhvillon negociata indirekte me Hamasin në Doha, kryeqytetin e Katarit, transmeton Anadolu.
Ben-Gvir bëri një deklaratë me shkrim në llogarinë e tij në median sociale në lidhje me vrasjen e 5 ushtarëve izraelitë në një përleshje me grupet palestineze në Rripin e Gazës.
"Nuk duhet të negociojmë me ata që vrasin ushtarët tanë", tha Ben-Gvir dhe bëri thirrje që të largohet nga Katari delegacioni izraelit i cili po zhvillon negociata indirekte me Hamasin në Doha për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim në Gaza.
Ben-Gvir shprehu kundërshtimin e tij ndaj shkëmbimit të mundshëm të pengjeve, armëpushimit të përkohshëm dhe hyrjes së ndihmës humanitare në Gaza sipas marrëveshjes dhe tha se "(Anëtarët e Hamasit) duhet të vdesin nga uria".
Duke mbrojtur idenë se Gaza duhet të rrethohet plotësisht dhe sulmet duhet të vazhdojnë, Ben-Gvir bëri thirrje që palestinezët në rajon të dëbohen nga Gaza nën emrin e "migrimit vullnetar" dhe që atje të ndërtohen vendbanime të paligjshme hebreje.
Administrata Netanyahu dërgoi një delegacion izraelit në Doha të dielën për negociatat indirekte me Hamasin për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushim të përkohshëm në Gaza.
Burimet lokale njoftojnë se negociatat indirekte janë duke vazhduar, por palët ende nuk kanë arritur një dakordësim për një marrëveshje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.