Ministri izraelit i ekstremit të djathtë kërcënon se do të shkatërrojë varrin e Izzeddin al-Kassam në Haifa
- Varri i Izzeddin al-Kassam ndodhet në zonën e njohur më parë si "Varrezat e Shejhut", tani të njohura si "Varrezat e Nishir-it", që nga viti 1935.

Istanbul
KUDS (AA) - Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir ka kërkuar shkatërrimin e varrit të Izzeddin al-Kassam, një udhëheqës i shquar i rezistencës së armatosur gjatë mandatit britanik në Palestinë, në vendbanimin Nishir afër Haifës, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga kanali televiziv i Parlamentit Izraelit, "Knesset Channel" në X, Ben Gvir iu drejtua kryetarit të Bashkisë së Nishir-it në një seancë të Komitetit të Brendshëm të Knessetit, duke thënë: "Urdhëroni prishjen e varrit të Izzeddin al-Kassam, policia do të sigurojë edhe prishjen edhe sigurinë".
"Terroristët nuk duhet të lejohen të pushojnë as pas vdekjes", tha Ben Gvir.
Varri i Izzeddin al-Kassam ndodhet në zonën e njohur më parë si "Varrezat e Shejhut", tani të njohura si "Varrezat e Nishir-it", që nga viti 1935.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet izraelite kanë kërcënuar se do ta shembin ose do ta largojnë varrin e Izzeddin al-Kassamit. Më 6 gusht, anëtari i Knessetit, Yitzhak Kroizer, i Partisë së Fuqisë Hebraike të udhëhequr nga Ben Gvir, bëri thirrje gjithashtu për largimin e varrit të Qassam.
- Kush është Izzeddin al-Kassam?
I lindur në vitin 1883 në qytetin bregdetar në Jablah të Sirisë, Kassam njihet si një figurë autoritative, dijetar dhe predikues i shquar në botën islame dhe historinë palestineze.
Kassam, i cili udhëhoqi lëvizjen e rezistencës së armatosur kundër pushtimit francez dhe britanik në Siri dhe Palestinë në fillim të shekullit të 20-të, u vra në një përleshje me forcat britanike pranë qytetit të Jenin në Bregun Perëndimor verior në vitin 1935.
Vdekja e tij luajti rol të rëndësishëm në Revoltën e Madhe Palestineze të vitit 1936 kundër sundimit britanik nga arabët palestinezë në Mandatin e Palestinës.
Lëvizja Islamike e Rezistencës në Palestinë, Hamasi i dha emrin Kassam krahut të saj ushtarak në lidhje me luftën e saj kundër kolonializmit dhe filloi të përdorte emrin "Brigadat Izzeddin al-Kassam".