Ministri izraelit bën thirrje për vrasjen e palestinezëve në Rripin e Gazës "përmes urisë"
"Kur gjërat vështirësohen për ta, ato do të vështirësohen edhe për Hamasin", tha Eliyahu duke aluduar për civilët palestinezë

Kuds
Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu tha se civilët palestinezë në Rripin e Gazës duhet të vriten përmes urisë, transmeton Anadolu.
Duke folur për kanalin televiziv "Channel 7" që transmeton në Izrael, Eliyahu pretendon se depot e karburantit dhe ushqimit në Rripin e Gazës duhet të bombardohen.
Ai tha se duhet të vazhdojë embargoja ndaj ndihmës humanitare në Gaza. Ministri izraelit pretendon se ndihma humanitare do të dëmtonte të burgosurit dhe ushtarët izraelitë "në vend që të dobësonte armikun".
"Kur gjërat vështirësohen për ta, ato do të vështirësohen edhe për Hamasin", tha Eliyahu duke aluduar për civilët palestinezë.
"Duhet të vdesin nga uria. Në rast se ka civilë që shqetësohen për jetën e tyre duhet ta zbatojë planin e migrimit", shtoi ministri izraelit.
Përderisa rreth 2.3 milionë palestinezë që jetojnë në Gaza, ku Izraeli ka ndaluar ndihmat humanitare që nga 2 marsi, po përballen me urinë, furrat e bukës nuk kanë qenë në gjendje të prodhojnë për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së miellit dhe karburantit.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) raportoi më 4 maj se një "katastrofë humanitare e paparë" po ndodhë në rajon ndërsa "bllokada e plotë" e Gazës nga Izraeli hyri në javën e nëntë.