Ministri iranian i Mbrojtjes: Prodhuam raketa të reja pas luftës me Izraelin
"Ne kemi prodhuar raketa me karakteristika shumë më të larta se ato të raketave të mëparshme", tha ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh

Stamboll
Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh deklaroi se ata kanë prodhuar raketa të reja me "karakteristika superiore" pas sulmeve izraelite që vazhduan për 12 ditë, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim, gjatë një fjalimi me rastin e "Ditës së Industrisë së Mbrojtjes", Nasirzadeh dha informacion në lidhje me teknologjitë e reja të armëve në vendin e tij.
"Raketat e përdorura në luftën 12-ditore ishin raketa të prodhuara nga Ministria e Mbrojtjes disa vite më parë. Ndërsa sot, ne kemi prodhuar raketa me karakteristika shumë më të larta se ato të raketave të mëparshme", tha Nasirzadeh.
Ministri iranian vuri në dukje se ata do të përdorin raketat e reja nëse Izraeli sulmon përsëri.
- Konflikti filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor 2025, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme iraniane, përfshirë komandën e lartë të ushtrisë.
Në sulme u vranë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të nivelit të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë.
SHBA-ja, që mbështet hapur Izraelin, sulmoi tre objekte bërthamore iraniane në Natanz, Fordo dhe Isfahan më 22 qershor.
Në hakmarrje për sulmin amerikan, Irani sulmoi bazën ajrore amerikane Al-Udeid në Katar më 23 qershor. Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.