Ministri i Jashtëm turk riafirmon mbështetjen për vullnetin e popullit sirian
Kryediplomati turk Hakan Fidan dhe presidenti sirian Ahmad al-Sharaa zhvilluan bisedime mbi tregtinë, investimet, transportin dhe energjinë në Damask

Istanbul
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se Ankaraja do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit sirian dhe të mbështesë aspiratat dhe vullnetin e tyre legjitim, transmeton Anadolu.
"Gjatë secilës prej vizitave të mia, vërej personalisht përparimin që ka bërë Siria në shumë fusha”, tha Fidan në X në lidhje me vizitën e tij në Siri, duke theksuar se kjo ishte vizita e tij e tretë në Damask në nëntë muajt që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit.
Ai tha se nën udhëheqjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit Ahmad al-Sharaa, “jemi të vendosur të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat”.
Në takimin me Sharaan, Fidan tha se diskutuan një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë tregtinë, investimet, transportin dhe energjinë.
– Turqia qëndron pranë Sirisë në luftën kundër organizatave terroriste
Fidan tha se vlerësuan hapat që mund të ndërmerren në nivel bilateral dhe rajonal për rindërtimin e Sirisë.
“U përqendruam veçanërisht te çështjet e sigurisë dhe te kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sovranitetit dhe unitetit politik të Sirisë”, tha ai, duke shtuar: “Si Turqi, do të vazhdojmë të mbështesim Sirinë në luftën e saj kundër organizatave terroriste”.
Fidan gjithashtu përsëriti se Turqia është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme për qeverinë siriane në marrjen përsipër të përgjegjësive që lidhen me menaxhimin dhe sigurinë e kampeve në verilindje të Sirisë.
Ai shtoi se në takime u diskutuan edhe aktivitetet izraelite që kanë pasur në shënjestër Sirinë.
Ministri i jashtëm tha se populli sirian dëshiron të shfrytëzojë një mundësi historike për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe theksoi se qeveria siriane po përballet njëkohësisht me shumë sfida për ta bërë vendin më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të begatë.
Fidan theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA-ja dhe vendet evropiane, për të kapërcyer këto sfida.
“Izraeli po ndjek një politikë që destabilizon rajonin tonë”, tha ai, duke theksuar se parandalimi i kësaj është një “përgjegjësi e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.