Ministri i Jashtëm izraelit kërcënon me aneksim nëse Palestina njihet nga disa vende evropiane
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar tha se nëse vendet, përfshirë Francën dhe Britaninë e njohin Palestinën, ata do të aneksojnë në mënyrë të njëanshme vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Luginën e Jordanit

Kuds
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar deklaroi se nëse vendet, përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe e njohin Palestinën, ata do të aneksojnë në mënyrë të njëanshme vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Luginën e Jordanit, transmeton Anadolu.
Saar foli për gazetën "Israel Hayom" dhe bëri kërcënimin se "Çdo hap i njëanshëm i ndërmarrë kundër Izraelit do të përballet me hapa të njëanshëm nga Izraeli".
Ai vuri në dukje se nëse vendet, përfshirë Francën dhe Britaninë e njohin Palestinën, ato do të aneksojnë në mënyrë të njëanshme vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Luginën e Jordanit.
Gazeta vuri në dukje se deklaratat e ministrit Saar erdhën përpara një konference ndërkombëtare të planifikuar të mbahet në New York më 18 qershor, nën udhëheqjen e presidentit francez Emmanuel Macron dhe me mbështetjen e Arabisë Saudite, ku do të kërkohet njohja e shtetit të Palestinës.
Sipas informacioneve që gazeta ka marrë nga burime diplomatike, Macron synon që shumë vende të shpallin njohjen e shtetit të Palestinës në këtë datë. Ky zhvillim ka shkaktuar reagim të ashpër nga qeveria izraelite, ndërsa thuhet se Macron e ka siguruar më parë Tel Avivin se një hap i tillë nuk do të ndërmerret.
Gazeta shkruan se SHBA-ja ka informuar Izraelin se nuk do të merr pjesë në këtë konferencë dhe se "nuk do të ushtrojë presion" mbi vendet e tjera publikisht për t'i penguar ato.
Aktualisht, 149 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin shtetin e Palestinës. Autoriteti Palestinez shpreson që ky numër të rritet me konferencën që do të mbahet në qershor.
Sipas të dhënave të Komitetit për Luftën kundër Murit të Ndarjes (Murit të Turpit) dhe Vendbanimeve Hebraike, numri i kolonëve në Bregun Perëndimor ka arritur në rreth 770 mijë deri në fund të vitit 2024 ndërsa në rajon ka 180 vendbanime dhe 256 vendbanime të paligjshme që nuk kanë status ligjor nga qeveria izraelite.
Paralelisht me gjenocidin në Rripin e Gazës, ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj edhe në Bregun Perëndimor ndërsa izraelitët që uzurpojnë tokat palestineze i kanë shtuar sulmet e tyre në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor.
Sipas të dhënave zyrtare palestineze, që nga 7 tetori 2023 më shumë se 960 palestinezë janë vrarë dhe afërsisht 7.000 të tjerë janë plagosur në dhunën izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor të pushtuar. Autoritetet izraelite të sigurisë kanë arrestuar më shumë se 16.000 persona.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, mekanizmi më i lartë gjyqësor i OKB-së lëshoi në korrik 2024 vendimin e saj ku deklaron se Izraeli pushtues duhet të ndalojë të gjitha "aktivitetet e tij për vendbanimet e reja" dhe t'i largojë izraelitët nga të gjitha tokat palestineze që kanë pushtuar, por Izraeli e refuzoi vendimin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.