Ministri i Jashtëm iranian: Izraeli synon ta përfshijë SHBA-në “në luftëra në emër të tij”
“Izraeli gjithmonë ka synuar ta tërheqë SHBA-në në luftëra në emër të tij. Por mbresëlënëse është se këtë herë po e thonë hapur pjesën e fshehtë”, tha Abbas Araghchi
Stamboll
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të mërkurën se Izraeli gjithmonë ka tentuar të tërheqë SHBA-në në luftëra të zhvilluara “në emër të tij”, transmeton Anadolu.
“Izraeli gjithmonë ka synuar ta tërheqë SHBA-në në luftëra në emër të tij. Por mbresëlënëse është se këtë herë po e thonë hapur pjesën e fshehtë”, shkroi Araghchi në platformën sociale amerikane X, duke cituar një postim nga Tamir Morag, korrespondent i çështjeve diplomatike për Kanalin 14 të Izraelit.
Araghchi tha se rrugët e Iranit janë “të njomura me gjak”, duke e akuzuar Izraelin se krenohet me armatimin e protestuesve, që, sipas tij, është pasojë e “qindra vdekjeve”.
Ai shtoi se nëse presidenti amerikan Donald Trump dëshiron të ndalojë vrasjet në Iran, duhet t’i drejtohet Izraelit për të parandaluar armatimin e protestuesve.
“Me gjak në rrugët tona, Izraeli po krenohet hapur për ‘armatimin e protestuesve me armë zjarri’, dhe kjo është arsyeja e qindra të vrarëve”, tha Araghchi.
Morag më herët kishte shkruar në X se “elementë të huaj po armatosin protestuesit në Iran me armë zjarri, dhe kjo është arsyeja për qindra të vrarë mes njerëzve të regjimit”.
“Çdokush është i lirë t’ia qëllojë për kë po flasim”, shtoi ai.
Ndërkohë, misioni i SHBA-së në Arabinë Saudite këshilloi të mërkurën personelin dhe qytetarët amerikanë të kenë “kujdes të shtuar” në rajon për shkak të tensioneve në vazhdim.
Zyrtarët amerikanë kanë përshkallëzuar retorikën kundër Iranit mes protestave kundër qeverisë që kanë përfshirë vendin që nga muaji i kaluar për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike.
Të martën, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha për “CBS News” se Washingtoni do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” nëse autoritetet iraniane kryejnë ekzekutime të protestuesve.
Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e asaj që ata e përshkruajnë si “trazira” dhe “terrorizëm” në mes të protestave.
Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare për viktimat apo të ndaluarit. Agjencia e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, vlerëson se të paktën 2.500 persona janë vrarë, përfshirë protestues dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa më shumë se 1.100 të tjerë janë plagosur.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
