Ministri i Jashtëm sirian mbërrin në SHBA për vizitën e parë në 25 vjet
Ministri sirian do të zhvillojë bisedime me senatorët amerikanë për të diskutuar heqjen e përhershme të sanksioneve “Caesar” ndaj Sirisë

Stamboll
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani mbërriti në Washington sot për vizitën e parë zyrtare në SHBA në 25 vjet, tha media lokale, transmeton Anadolu.
Televizioni shtetëror "Al-Ikhbariya", duke cituar burime të Ministrisë së Jashtme, tha se Shaibani dhe delegacioni i tij shoqërues mbërritën në Washington për "një vizitë zyrtare historike".
Sipas agjencisë amerikane të lajmeve "Axios", ministri sirian do të zhvillojë bisedime me senatorët amerikanë për të diskutuar heqjen e përhershme të sanksioneve "Caesar" ndaj Sirisë.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga SHBA-ja për vizitën e Shaibanit.
Akti i Mbrojtjes Civile të Sirisë "Caesar", i nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe i zbatuar në qershor 2020, është një legjislacion që zgjeroi sanksionet ndaj regjimit të Bashar al-Asadit për ta izoluar atë nga bashkësia ndërkombëtare për krimet e tij të luftës kundër civilëve.
Asad, i cili sundoi Sirinë për gati 25 vjet, iku në Rusi në fund të vitit 2024, duke i dhënë fund pushtetit të Partisë Baath që kishte filluar në vitin 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga presidenti Ahmad al-Sharaa u formua në Siri në janar pas rënies së Asadit.