Ministri i Energjisë: Turqia e gatshme për të ndërtuar ura midis kontinenteve dhe sistemeve energjetike
Bayraktar theksoi se Turqia ndodhet në udhëkryqin e kontinenteve, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht, pozicion që siç tha ai, i jep vendit një avantazh natyror si "një qendër graviteti për bashkëpunim rajonal dhe global"
Stamboll
Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të ndërtojë ura midis kontinenteve, industrive dhe sistemeve energjetike në një kohë kur bashkëpunimi global është më jetësor se kurrë, raporton Anadolu.
"Mesazhi ynë është i thjeshtë, Turqia është e hapur për biznes, e hapur për inovacion dhe e hapur për partneritet", tha Bayraktar në adresimin e tij në Forumin e 18-të Ekonomik Euroaziatik të Veronës në Stamboll.
"Ne do të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv në formësimin e ekonomisë globale si një partner i besueshëm për prosperitet të përbashkët dhe rritje të qëndrueshme", shtoi ai.
Duke bashkuar zyrtarë dhe udhëheqës biznesi, forumi sot dhe nesër mbahet në Stamboll nën temën "Energjia e re për realitete të reja ekonomike".
Bayraktar tha se teksa ekonomia globale po kalon një periudhë të pasigurisë dhe transformimit të konsiderueshëm, bashkimi i një grupi kaq të larmishëm dhe të kalibrit të lartë pjesëmarrësish është në kohën e duhur dhe i lavdërueshëm.
"Ky takim gjithashtu tregon një angazhim të përbashkët për dialog, bashkëpunim dhe ndjekje të rritjes së qëndrueshme në të gjithë rajonin tonë më të gjerë euroaziatik", shtoi ai.
Duke theksuar se Turqia ndodhet në udhëkryqin e kontinenteve, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht, Bayraktar tha se ky pozicion i jep vendit një avantazh natyror si "një qendër graviteti për bashkëpunim rajonal dhe global".
"Përballë pasigurisë globale, strategjia e Turqisë është shumë e qartë, fleksibile, me vizion dhe e diversifikuar. Gjatë dy dekadave të fundit, ekonomia jonë pothuajse është katërfishuar. Baza jonë industriale ka ndryshuar ndjeshëm dhe eksporti ynë është zgjeruar në tregje të ndryshme dhe në gjeografi të ndryshme", tha ai.
Ministri turk theksoi se Turqia sot është ekonomia e 17-të më e madhe në botë, me një vrull të fortë të rritjes, një sektor privat dinamik dhe integrim të thellë në zinxhirët global të vlerës. Ai tha se energjia qëndron në thelb të rritjes ekonomike dhe vizionit strategjik të Turqisë.
"Objektivi ynë është të sigurojmë energji të sigurt, të besueshme dhe të përballueshme, duke nxitur tranzicionin tonë neto-zero", tha Bayraktar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
