Bota

Milanoviq: Irani strategjikisht më i fortë se para konfliktit, operacioni SHBA-Izrael i planifikuar dobët

“Gjithçka është planifikuar dobët, në mënyrë naive, me shpresën se një shtet do të dorëzohej”, tha presidenti kroat, duke shtuar se Irani është i vendosur të rezistojë

Vesna Besic  | 20.03.2026 - Përdıtësım : 20.03.2026
Milanoviq: Irani strategjikisht më i fortë se para konfliktit, operacioni SHBA-Izrael i planifikuar dobët

Sarajevë

Sipas presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, Irani është në një pozitë strategjike më të fortë se para konfliktit në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar operacionin amerikano-izraelit kundër Iranit si “të planifikuar dobët”, transmeton Anadolu.

“Ata para një muaji kontrollonin 7 për qind të naftës botërore. Tani kontrollojnë 23 për qind. Në aspekt strategjik janë bërë më të rëndësishëm se më parë”, tha Milanoviq gjatë një ceremonie në qytetin kroat Slunj.

Duke komentuar rritjen e çmimeve të energjisë, ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të shihet fuqia reale e Iranit për të shkaktuar destabilizim.

Ai theksoi se operacioni amerikano-izraelit ishte i planifikuar dobët dhe se përgjegjësit janë “befasuar nga reagimi i Iranit”.

“Gjithçka është planifikuar dobët, në mënyrë naive, me shpresën se një shtet do të dorëzohej”, tha presidenti kroat, duke shtuar se Irani është i vendosur të rezistojë.

Milanoviq paralajmëroi se koston e luftës do ta paguajnë vendet importuese të energjisë, përfshirë Bashkimin Evropian (BE) dhe Kroacinë.

Ndërkohë, çmimi i naftës Brent ka kaluar 116 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e gazit në Evropë janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.