Mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte për shkak të stuhisë tropikale në Filipine
Stuhia "Basyang" ka shkaktuar përmbytje, duke detyruar familje të zhvendosen në katet e sipërme ose në qendra të evakuimit në qytetin Iligan në veri të Mindanaos
Stamboll
Stuhia tropikale "Basyang" ka detyruar anulimin e dhjetëra fluturimeve në Filipine, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte dhe duke shkaktuar përmbytje të gjera, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Filipineve (CAAP) njoftoi se që nga e enjtja janë anuluar 32 fluturime, duke prekur 7.737 udhëtarë, sipas medias lokale "Inquirer".
Sipas Administratës Filipinase të Shërbimeve Atmosferike, Gjeofizike dhe Astronomike (PAGASA), stuhia aktualisht po lëviz drejt rajonit Visayas Qendror.
Reshjet e dendura dhe erërat e forta stuhisë kanë lënë rrugët e qytetit Iligan, në Mindanaon verior, të mbuluara me baltë dhe mbeturina.
Në lagjet e ulëta, si zona Barangay Mahayahay, familjet u detyruan të zhvendosen në kate më të larta ose në qendra evakuimi, ndërsa ujërat e përmbytjeve vazhdojnë të qëndrojnë.
Rritja e nivelit të lumit Tubod në qytetin Iligan çoi në mbylljen e përkohshme të një ure të autostradës kombëtare, me ujin që arriti deri në rreth një metër në kulmin e tij dhe mori me vete automjete të parkuara.
Autoritetet vazhdojnë të monitorojnë stuhinë dhe u kanë bërë thirrje banorëve të marrin masa paraprake, ndërsa linjat ajrore po rregullojnë oraret dhe po ndihmojnë pasagjerët e prekur.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
