Bota

Mijëra njerëz në protestë në Paris, dënojnë ndalimin e anijes humanitare Madleen nga Izraeli

Demonstrata, e organizuar në kryeqytetin francez nga grupe pro-palestineze dhe humanitare, dënoi ndalimin e anijes humanitare nga forcat izraelite, si dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të 12 të ndaluarve në bordin e anijes

Abdulbesar Ademi  | 09.06.2025 - Përdıtësım : 09.06.2025
Mijëra njerëz në protestë në Paris, dënojnë ndalimin e anijes humanitare Madleen nga Izraeli Foto: Luc Auffret/AA

Paris

Mijëra njerëz që mbanin flamuj palestinezë janë tubuar në sheshin Place de la Republique në kryeqytetin Paris për të dënuar ndalimin e anijes humanitare Madleen nga Izraeli, e cila transportonte ndihma për në Gaza, raporton Anadolu.

Demonstrata, e organizuar në kryeqytetin francez nga grupe pro-palestineze dhe humanitare, dënoi ndalimin e anijes humanitare nga forcat izraelite, si dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të 12 të ndaluarve në bordin e anijes, përfshirë qytetarë nga Franca, Suedia dhe Spanja.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në vende të tjera, përfshirë në Romë, Athinë, Hagë, Berlin dhe Kopenhagë.

Forcat izraelite ndërhynë ndaj anijes humanitare mëngjesin e sotëm, duke e devijuar atë nga misioni i saj për të dërguar ndihmë kritike në enklavën e rrethuar palestineze.

Anija Madleen në mbrëmje mbërriti në portin izraelit Ashdod nën shoqërimin e anijeve luftarake izraelite.

Anija Madleen e ndaluar nga Izraeli ishte pjesë e një iniciative humanitare ndërkombëtare që mbante furnizime thelbësore për popullin e Gazës, përfshirë formula për foshnje, miell, oriz, pelena, produkte sanitare për gratë, komplete për shkripëzimin e ujit, furnizime mjekësore, paterica dhe proteza për fëmijë.

Në bord ishin gjithsej 12 persona, midis të cilëve aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg, anëtarja franko-palestineze e Parlamentit Evropian Rima Hassan, si dhe Yasemin Acar nga Gjermania, Baptiste Andre, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi, Reva Viard dhe Omar Faiad nga Franca, Thiago Avila nga Brazili, Suayb Ordu nga Turqia, Sergio Toribio nga Spanja dhe Marco van Rennes nga Holanda.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.