Mijëra njerëz në funeralin për viktimat e sulmeve ajrore izraelite në Teheran
Ceremonia filloi në Sheshin Enghelab dhe u zhvendos drejt Sheshit Azadi, duke tërhequr turma të mëdha nga e gjithë shoqëria iraniane, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë

Ankara
Mijëra iranianë janë tubuar në Teheran për të marrë pjesë në një procesion funerali për individët e vrarë gjatë sulmeve të fundit ajrore izraelite, përfshirë komandantë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë dhe civilë, raporton Anadolu.
Ceremonia filloi në Sheshin Enghelab dhe u zhvendos drejt Sheshit Azadi, duke tërhequr turma të mëdha nga e gjithë shoqëria iraniane, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë.
Ngjarja pasoi një njoftim të djeshëm nga komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, gjenerali Hassan Hassanzadeh, i cili tha se funerali do të jetë një "ceremoni simbolike kombëtare" për viktimat e sulmeve izraelite.
Hassanzadeh tha se funerali do të përfshijë varrimin simbolik të disa figurave të larta ushtarake dhe civilëve, derisa viktima të tjera tashmë ishin varrosur në provinca të ndryshme ditëve të fundit.
Një konflikt 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në objektet ushtarake, bërthamore dhe civile iraniane, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit, duke vrarë të paktën 606 persona dhe duke plagosur 5.332 të tjerë.
Teherani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Hebraik i Kudsit, duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur më shumë se 3.400 të tjerë.
Konflikti u ndal pas një armëpushimi të sponsorizuar nga SHBA-ja që hyri në fuqi më 24 qershor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.