Meksika dhe Kanadaja nënshkruan marrëveshje partneriteti strategjik
Gjatë një konference të përbashkët për media, dy liderët thanë se marrëveshja e re dypalëshe synon të plotësojë dhe forcojë USMCA-në, jo ta minojë atë, mes shqetësimeve mbi tarifat e fundit të SHBA-së dhe shqyrtimin e afërt të USMCA-së

Mexico City
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum dhe kryeministri kanadez, Mark Carney, kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, të sigurisë dhe atë mjedisor, transmeton Anadolu.
Pakti, i nënshkruar në Mexico City, u njoftua përpara një shqyrtimi zyrtar të marrëveshjes trepalëshe SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) të planifikuar për vitin 2026.
Gjatë një konference të përbashkët për media, dy liderët thanë se marrëveshja e re dypalëshe synon të plotësojë dhe forcojë USMCA-në, jo ta minojë atë, mes shqetësimeve mbi tarifat e fundit të SHBA-së dhe shqyrtimin e afërt të USMCA-së.
Ata gjithashtu përcaktuan pikat kryesore të marrëveshjes. "Ne do të rrisim angazhimin tonë në çështjet e jashtme, në tregti dhe investime, në bujqësi dhe burime natyrore, në energji, financë, shëndetësi, mjedis dhe siguri publike", tha Carney.
Kryeministri kanadez tha se marrëveshja është ndërtuar mbi katër shtylla, respektivisht prosperitet, siguri, përfshirje dhe qëndrueshmëri.
Carney gjithashtu theksoi se marrëveshja do të nxisë investimet në infrastrukturën strategjike, siç janë portet dhe hekurudhat, për të forcuar zinxhirët e furnizimit në të gjithë rajonin e Amerikës së Veriut dhe për të "zhbllokuar mundësi të reja" për tregti dhe investime, nga energjia te bujqësia e deri te hapësira ajrore.
Edhe pse nuk u përfshi drejtpërdrejt në takim, SHBA-ja ishte simbolikisht e pranishme gjatë konferencës për media, pasi Carney e bëri të qartë se nga një bashkëpunim më i thellë midis Meksikës dhe Kanadasë në fund të fundit do të përfitonte ekonomia amerikane.
"Ne do të bashkëpunojmë në mënyrë dypalëshe me SHBA-në, duke ndjekur integrimin ekonomik me qëllim që ta bëjmë Amerikën e Veriut rajonin më konkurrues në botë", shtoi ai.
Për presidenten Sheinbaum, marrëveshja është po aq e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe sa është edhe për tregtinë dhe integrimin ekonomik midis partnerëve të Amerikës së Veriut.
"Ne ramë dakord për një plan veprimi shumë të rëndësishëm që shpresojmë se së shpejti do të japë rezultate, si në aspektin e marrëdhënies sonë bilaterale ashtu edhe në kontekstin më të gjerë të rolit tonë të përbashkët në Amerikën e Veriut sipas marrëveshjes tregtare", tha ajo.
E nënshkruar në vitin 2018, marrëveshja tregtare USMCA u ndërmjetësua për herë të parë gjatë mandatit të parë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Marrëveshja hyri në fuqi në korrik të vitit 2020 dhe është planifikuar për shqyrtimin e saj të parë gjashtë vjet më vonë, duke shënuar 1 korrikun 2026 si herën e parë që marrëveshja trepalëshe do të rishikohet zyrtarisht, gjatë një periudhe në të cilën Trump ka kërcënuar me një "ri-negociim drastik" të paktit.
Carney gjithashtu njoftoi se ministri kanadez i Bujqësisë, Heath MacDonald, do të vizitojë Meksikën muajin e ardhshëm, pasi politika e bujqësisë dhe mjedisit do të jenë fushat e ardhshme të fokusit për të dy partnerët.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.