Bota

Medvedev: Krijimi i një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të thotë luftë NATO-Rusi

"Krijimi i një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën do të thotë shpërthim i një lufte midis Rusisë dhe NATO-s", tha zv/kryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev

Burç Eruygur  | 15.09.2025 - Përdıtësım : 15.09.2025
Medvedev: Krijimi i një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të thotë luftë NATO-Rusi

Stamboll

Krijimi i një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën do të thotë shpërthim i një lufte midis Rusisë dhe NATO-s, tha sot zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në Telegram, Medvedev tha se ishte "i argëtuar" nga "Eastern Sentry", një iniciativë e re e NATO-s e nisur për të mbrojtur aleatët në krahun lindor pas ndërhyrjeve me dronë në Poloni javën e kaluar.

"Por, seriozisht, zbatimi i idesë provokuese të krijimit të një 'zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën' dhe mundësia që vendet e NATO-s të rrëzojnë dronët tanë (mjete ajrore pa pilot) do të thotë vetëm një gjë, luftë midis NATO-s dhe Rusisë", tha Medvedev.

Duke komentuar idenë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse në Perëndim për të forcuar ushtrinë e Ukrainës, Medvedev tha se Moska do t'i ndjekë shtetet e Bashkimit Evropian (BE) "deri në fund të kohës" nëse ato përpiqen t'i sekuestrojnë këto asete.

Medvedev, i cili ka shërbyer si president dhe kryeministër i vendit tha se Rusia do ta bëjë këtë "në të gjitha mënyrat e mundshme" dhe "në të gjitha gjykatat e mundshme ndërkombëtare dhe kombëtare". "Dhe në disa raste, jashtë gjykatës", shtoi ai, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

NATO njoftoi të premten se Komanda e saj Aleate për Operacionet (ACO) do të ekzekutojë operacionin "Eastern Sentry" përgjatë krahut lindor të NATO-s për të "forcuar më tej qëndrimin tonë për të mbrojtur të gjithë aleatët".

"Aktiviteti shumësferash, i cili do të fillojë në ditët në vijim dhe do të vazhdojë për një kohë të pazbuluar, është në përgjigje të shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore, përfshirë edhe dronët e shumtë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator", shtoi deklarata.

Rusia mohoi çdo qëllim për të goditur objektiva në territorin polak, duke thënë se sulmet e saj atë ditë kishin në shënjestër ndërmarrjet e kompleksit ushtarako-industrial të Kievit në Ukrainën perëndimore.

Të dielën, kreu i Zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak tha se inkursioni i fundit me dronë në Poloni vërtetoi nevojën për të krijuar një zonë ndalim-fluturimi mbi vendin e tij. "Kjo do të jetë mbrojtje jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë fqinjët", shtoi ai.

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski shprehu mbështetje personale për iniciativën në një intervistë të botuar të hënën në mëngjes për gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Ai tha se ideja u diskutua një vit më parë kur ish-presidenti amerikan Joe Biden ishte ende në Zyrën Ovale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın