Bota

Mbyllet aeroporti i Marsejës për shkak të zjarrit në jug të Francës

Aeroporti "Marseille Provence" është mbyllur përkohësisht për shkak të zjarrit që shpërtheu në qytetin Pennes-Mirabeau në jug të Francës

Esra Taşkın  | 08.07.2025 - Përdıtësım : 08.07.2025
Mbyllet aeroporti i Marsejës për shkak të zjarrit në jug të Francës

Paris

Aeroporti "Marseille Provence" është mbyllur përkohësisht për shkak të zjarrit që shpërtheu në qytetin Pennes-Mirabeau në jug të Francës, transmeton Anadolu.

Sipas mediave franceze, një zjarr shpërtheu në Pennes-Mirabeau, afërsisht 20 kilometra nga Marseja, në pasdite për arsye ende të panjohura.

Për të ndërhyrë ndaj zjarrit në rajon u dërguan 720 zjarrfikës dhe 230 automjete zjarrfikëse. Për shkak të zjarrit deri më tani janë djegur 700 hektarë hapësirë e gjelbër ndërsa aeroporti "Marseille Provence" është mbyllur përkohësisht.

Zyra e guvernatorit u kërkoi vendasve të mos dalin nga shtëpitë e tyre nëse nuk është e nevojshme. Autostrada A55 midis Pennes-Mirabeau dhe Marsejës është mbyllur gjithashtu pjesërisht për trafikun.

Zjarri, i cili u përhap me shpejtësi për shkak të erës, arriti në veri të Marsejës. Shërbimet e trenave për në dhe nga Marseja u ndaluan ndërsa qytetarëve që banojnë në lagjen e 16-të të qytetit iu kërkua të qëndrojnë në shtëpi.

Katër persona u dërguan në spital për shkak të zjarrit ndërsa 9 zjarrfikës u prekën nga tymi kurse një zjarrfikës u plagos.

Kryebashkiaku i Marsejës, Benoit Payan tha se 400 persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarrit.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau pritet të mbërrijë në Marsejë, qytetin e dytë më të madh të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın