Mbrojtja Civile Siriane raporton përparim të madh në menaxhimin e zjarreve në fshatin Latakia
- Kreu i Mbrojtjes Civile tha se përpjekjet janë duke vazhduar për të shuar plotësisht vatrat e mbetura të nxehta dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve në zona të reja të gjelbra

Stamboll
STAMBOLL (AA) - Mbrojtja Civile Siriane ka raportuar përparim të rëndësishëm në përballimin e zjarreve në fshatin verior Latakia, raporton Anadolu.
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve SANA, drejtori i Mbrojtjes Civile në rajonin bregdetar të Sirisë, Abdul Kafi Kiyal tha se përpjekjet janë duke vazhduar për të shuar plotësisht vatrat e mbetura të nxehta dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve në zona të reja të gjelbra.
Ai theksoi se ekipet e zjarrfikësve punuan gjatë natës për të ndarë lokacionet e zjarrit dhe për përmbajtjen e përhapjes së flakëve. Kiyal u shpreh optimist për arritjen e përmbajtjes së plotë të zjarreve në orët në vijim, duke shtuar se do të pasojnë operacione freskuese në shkallë të gjerë.
Dje, Mbrojtja Civile tha se më shumë se 90 për qind e zjarreve në pyjet e Al-Rihaniya në Jabal Turkman, Kansaba, Qanjarah dhe Daghmashliya janë shuar. Megjithatë, erërat e forta dhe temperaturat e larta i rindezën disa zona dhe i zgjeruan flakët.
Ekipet e zjarrfikësve nga Turqia dhe Jordania morën pjesë në shuarjen e zjarreve, me mbështetje ajrore nga avionë sirianë, turq, jordanezë dhe libanezë. Ekipet e OKB-së janë në terren duke kryer vlerësime urgjente për të përcaktuar shkallën e zjarreve dhe nevojat e menjëhershme humanitare.
Të martën, guvernatori i Latakias, Mohammad Othman dhe ministri i Emergjencave dhe Menaxhimit të Fatkeqësive, Raed Saleh nisën fushatën "Me duart tona, ne e ringjallim" për të ripyllëzuar zonat e djegura dhe për të ndihmuar komunitetet e prekura.
Ndërkohë, komisarja e BE-së për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib, në platformën sociale X tha se sistemi "Copernicus" u aktivizua për të ndihmuar përpjekjet lokale të zjarrfikësve me imazhe satelitore.
Ajo theksoi se zjarret në Siri kanë zhvendosur mijëra njerëz dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shërbimet jetësore dhe komunitetet rurale për shkak të kushteve të vështira humanitare. Të martën, Siria tha se i kishte kërkuar mbështetje BE-së për të kontrolluar zjarret.
Zjarret janë të zakonshme në disa pjesë të Latakias gjatë verës për shkak të temperaturave të larta, pyjeve të dendura dhe erërave të forta, duke i bërë të vështira për t'u kontrolluar.