Mbreti saudit i dërgon emirit të Katarit mesazh për forcimin e marrëdhënieve
Pas përfundimit të krizës së Gjirit kohët e fundit është vërejtur rritje në kontaktet diplomatike mes zyrtarëve të Katarit dhe Arabisë Saudite

Doha
Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz i dërgoi një mesazh Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamed Al Thani që përmban urimin e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Katarit QNA, emiri Al Thani priti në rezidencën mbretërore në Doha ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan i cili ka vizituar vendin.
Ministri Faisal i dorëzoi emirit të Katarit mesazhin me shkrim nga mbreti i Arabisë Saudite në të cilin urohet zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe.
Pas përfundimit të krizës së Gjirit kohët e fundit është vërejtur rritje në kontaktet diplomatike mes zyrtarëve të Katarit dhe Arabisë Saudite.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini dhe Egjipti më 5 qershor 2017 ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin me pretendimin se "mbështet grupet terroriste" dhe filluan të zbatojnë embargo ekonomike ndaj këtij vendi.
Teksa Katari mohoi të gjitha akuzat e vendeve të fjalë, kjo situatë shkaktoi krizë në rajonin e Gjirit.
Kriza e Gjirit u zgjidh me Deklaratën që u nënshkrua në Samitin e 41-të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) të mbajtur në qytetin Al-Ula të Arabisë Saudite më 5 janar të këtij viti.