Mbreti i Jordanisë: Vendet do të refuzojnë rolin e zbatuesit të paqes në Gaza sipas planit të Trumpit
Mbreti Abdullah II thotë se asnjë vend nuk do të donte të "vraponte rreth Gazës në patrullë me armë"
Londër
Mbreti i Jordanisë, Abdullah II paralajmëroi se vendet do të refuzojnë të "zbatojnë" paqen në Gaza nëse vendoseshin sipas planit të armëpushimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, transmeton Anadolu.
"Cili është mandati i forcave të sigurisë brenda Gazës? Dhe ne shpresojmë që të jetë paqeruajtëse, sepse nëse është zbatim paqeje, askush nuk do të dëshirojë ta prekë atë", tha mbreti jordanez për "BBC Panorama" në një intervistë.
"Ruajtja e paqes do të thotë të qëndrosh ulur aty duke mbështetur forcën policore lokale, palestinezët, të cilët Jordania dhe Egjipti janë të gatshëm t'i stërvisin në numër të madh, por kjo kërkon kohë. Nëse ne vrapojmë nëpër Gaza në patrullë me armë, kjo nuk është një situatë në të cilën ndonjë vend do të donte të përfshihej", tha ai.
Komentet e mbretit jordanez nxjerrin në pah shqetësimet midis SHBA-së dhe vendeve të tjera për tërheqjen në konfliktin e vazhdueshëm midis grupit palestinez Hamas dhe Izraelit.
Sipas OKB-së, zbatimi i paqes përfshin masa shtrënguese, përfshirë forcën ushtarake, ndërsa ruajtja e paqes vepron me pëlqimin e palëve në një konflikt dhe trupat përdorin forcën vetëm për vetëmbrojtje dhe në mbrojtje të mandatit të tyre.
Sipas planit të paqes prej 20 pikash të Trumpit, shtetet arabe dhe partnerët ndërkombëtarë pritet të angazhojnë forca stabilizimi për të "trajnuar dhe ofruar mbështetje për forcat policore palestineze të verifikuara në Gaza dhe do të konsultohen me Jordaninë dhe Egjiptin, të cilët kanë përvojë të gjerë në këtë fushë".
Kërkohet që Hamasi të çarmatoset dhe të heqë dorë nga kontrolli politik i territorit. Më shumë se gjysma e popullsisë së Jordanisë është me prejardhje palestineze dhe gjatë dekadave, vendi ka pranuar 2.3 milionë refugjatë palestinezë që ikin nga luftërat e mëparshme me Izraelin.
"Nëse nuk e zgjidhim këtë problem, nëse nuk gjejmë një të ardhme për izraelitët dhe palestinezët dhe një marrëdhënie midis botës arabe dhe muslimane dhe Izraelit, jemi të dënuar", tha Abdullah II.
Mbreti jordanez ka luajtur rol humanitar gjatë konfliktit, duke ndihmuar në shpërndarjen e ndihmës në Gaza dhe në evakuimin e fëmijëve të sëmurë dhe të plagosur. Ai ka fluturuar mbi territor në tre misione duke hedhur parashuta për furnizime me ndihmë.
"Të shikoja mbi rampën e pasme ishte thjesht tronditëse. Shkatërrimi i asaj pjese të Gazës ishte thjesht një tronditje për mua. E kam parë vetë, dhe se si ne, si bashkësi ndërkombëtare, po e lejojmë këtë të ndodhë është marramendëse", tha ai.
Në të njëjtin program "Panorama", Mbretëresha e Jordanisë, Rania e cila është me prejardhje palestineze kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për dështimin për ta ndaluar luftën më shpejt.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
