Mbretëria e Bashkuar do të presë liderët e BE-së në kuadër të samitit të parë të liderëve me bllokun evropian
Më 19 maj, kryeministri britanik, Keir Starmer, do të presë presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Londër
Britania në muajin maj do të presë liderët e Bashkimit Evropian (BE) për samitin e parë të liderëve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, transmeton Anadolu.
Më 19 maj, kryeministri britanik, Keir Starmer, do të presë presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Zyra e kryeministrit britanik tha se kjo do të jetë një mundësi për të forcuar më tej “marrëdhëniet unike” midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së pasi Starmer kërkon një rivendosje pas Brexit-it.
"Samiti i parë Mbretëri e Bashkuar-BE do të ofrojë një mundësi për të bërë përparim të mëtejshëm në fushat që do të sjellin përfitime të prekshme për njerëzit e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, si dhe do të forcojnë më tej marrëdhëniet unike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian", tha zyra e kryeministrit.
Në gusht të vitit të kaluar, një muaj pasi u emërua kryeministër, Starmer realizoi një turne dy-ditor në Evropë për të përmirësuar gjendjen pas Brexit-it dhe për “të rregulluar marrëdhëniet e prishura”.
Në referendumin e vitit 2016 për Brexit-in, shumica e qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar votuan në favor të tërheqjes së vendit të tyre nga BE-ja.
Pasi marrëveshja e Brexit-it u nënshkrua nga përfaqësuesit e Britanisë dhe BE-së më 24 janar të vitit 2020, Mbretëria e Bashkuar më 31 janar të po të njëjtit vit u tërhoq zyrtarisht nga blloku evropian.
