Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më sundimgjatë në historinë e Britanisë
Me 70 vite në fron, Elizabeth-a II njihet si monarkja me sundimin më të gjatë në historinë e mbretërisë britanike

Londër
ZUHAL DEMİRCİ
Mbretëresha Elizabeth II, “monarkja më sundimgjatë” në historinë britanike, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare në Kështjellën Balmoral në Skoci, ndërsa gjatë sundimit të saj 70-vjeçar kanë kaluar 15 kryeministra britanikë, raporton Anadolu Agency (AA).
E lindur më 21 prill 1926 në lagjen Mayfair të Londrës, në banesën 17 në Bruton Street, Elizabeth Alexandra Mary Windsor, siç ishte emri i saj i plotë, u bë mbretëreshë në moshën 26-vjeçare pas vdekjes së babait të saj më 6 shkurt 1952, Mbretit George VI, ndërsa u kurorëzua me ceremoni zyrtare më 2 qershor 1953.
Elizabeth-a thirrej me nofkën “Lilibet” kur ishte e vogël. Ajo iu nënshtrua arsimimit special në shtëpi, ndërsa i donte shumë kafshët, veçanërisht kuajt dhe qentë.
Me 70 vite në fron, ajo njihet si monarkja me sundimin më të gjatë në historinë e mbretërisë britanike.
Kur mbretëresha u ngjit në fron në vitin 1952, Joseph Stalin ishte ende lider i Bashkimit Sovjetik, ndërsa president i Shteteve të Bashkuara ishte Harry Truman.
Kurorëzimi i mbretëreshës në vitin 1953 ishte “kurorëzimi i parë mbretëror i transmetuar drejtpërdrejt në televizion”.
Martesa e mbretëreshës Elizabeth II
Në vitin 1934, Elizabeth-a u takua me Philip-in, i cili kishte lindur në ishullin e Korfuzit më 10 qershor 1921 dhe mbante titullin “Princi i Danimarkës dhe Greqisë” nga lindja. Philip-i gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte me detyrë flotën e Mesdheut dhe Paqësorit, ndërsa pas luftës u lejua të martohej me Elizabeth-ën, e cila ishte princeshë në atë kohë.
Duke hequr dorë nga titulli “Princ i Danimarkës dhe Greqisë” përpara ceremonisë së fejesës së tij në vitin 1947, Philip-i u bë shtetas britanik, duke marrë mbiemrin Mountbatten, mbiemrin e nënës dhe gjyshit të tij. Elizabeth-a dhe Philip-i u martuan më 20 nëntor 1947 në Westminster Abbey, një nga kishat më të mëdha në Londër.
Çifti mori më shumë se 2.500 dhurata martese dhe më shumë se 10.000 telegrame urimi nga e gjithë bota.
Pak para dasmës, atij iu dhanë titujt “Duka i Edinburgut, Konti i Merioneth-it dhe Baroni i Greenwich-it” nga mbreti George VI. Elizabeth-a u bë mbretëreshë në vitin 1952, ndërsa Philip-i u largua nga ushtria, ku kishte arritur gradën “komandant”, duke marrë titullin “Princi i Britanisë” në 1957.
Çifti kishte katër fëmijë me emrat Charles, Anne, Andrew dhe Edward. Princi Philip, i cili nuk e la vetëm Elizabeth-ën gjatë afro 69 viteve të saj në fron, e shoqëroi mbretëreshën kudo që ajo shkonte.
Mbretëresha Elizabeth mbeti e ve në moshën 95-vjeçare kur burri i saj, princi Philip, vdiq në moshën 99-vjeçare më 9 prill 2021.
Mbretëresha britanike pa 15 kryeministra
Mbretëresha Elizabeth II pa gjithsej 15 kryeministra britanikë gjatë mbretërimit të saj, nga Winston Churchill te Liz Truss.
Gjatë mbretërimit të saj nisi dhe mbaroi Lufta e Ftohtë, si dhe u ndërtua dhe ra Muri i Berlinit.
Mbretëresha Elizabeth II ishte kreu i 16 shteteve, duke përfshirë Kanadanë, Britaninë, Australinë, Zelandën e Re dhe disa vende të tjera të mëdha dhe të vogla në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor.
Në këto vende, përveç Britanisë, në vend të kryetarit të shtetit, shërben guvernatori i përgjithshëm që përfaqëson mbretëreshën.
Mbretëresha Elizabeth theu rekordin për mbretërimin më të gjatë të gjyshes së saj, mbretëreshës Victoria
Elizabeth-a theu rekordin për mbretërimin më të gjatë të gjyshes së saj, mbretëreshës Victoria, në moshën 89-vjeçare në vitin 2015. Mbretëresha Victoria, e cila vdiq në vitin 1901 në moshën 81-vjeçare, kishte mbretëruar për 63 vjet e 7 muaj.
Ky rekord i mbretëreshës Elizabeth ka rezultuar që edhe djali i saj i madh, Charles, Princi i Uellsit, të jetë “trashëgimtari që ka pritur më gjatë fronin britanik”.
25-vjetori i mbretëreshës së Britanisë u emërua “Përvjetori i Argjendtë” në vitin 1977, 50-vjetori i saj si “Përvjetori i Artë” në vitin 2002, 60-vjetori u shënua si “Përvjetori i Diamantit” në vitin 2012, kurse 65-vjetori u shënua si “Përvjetori i Safirit” në vitin 2017.
Mbretëresha vizitoi Türkiye-n në vitet 1971 dhe 2008
Mbretëresha Elizabeth, e cila ka vizituar më shumë se 110 vende gjatë sundimit të saj, mban epitetin “kryetarja e shtetit me më shumë udhëtime në botë”. Megjithatë, mbretëresha Elizabeth nuk ka pasur pasaportë, pasi pasaportat lëshohen në emër të mbretëreshës në Mbretërinë e Bashkuar.
Në të njëjtën kohë, mbretëresha Elizabeth ishte personi i vetëm në Mbretërinë e Bashkuar që lejohej të drejtonte makinën pa patentë.
Gjatë mbretërimit të saj, mbretëresha bëri vizita zyrtare në Türkiye në 1971 dhe 2008. Ajo vizitoi qytetet si Ankara, Istanbul, Izmir, Kuşadası dhe Bursa.
Nuk e pranoi çmimin “E Moshuara e Vitit”
Edhe pse Mbretëresha kishte reduktuar intensitetin e saj të punës vitet e fundit, ajo ende mbante një pjesë të madhe të detyrave të saj mbretërore.
Mbretëresha Elizabeth vitin e kaluar u shpall “E Moshuara e Vitit” nga revista “The Oldie”, por ajo nuk e pranoi këtë çmim.
Pas kësaj, familja mbretërore tha në një deklaratë: “Madhëria juaj mendon se njeriu është në atë moshë në të cilën ndihet. Prandaj, mbretëresha nuk mendon se i plotëson kriteret përkatëse për të qenë në gjendje ta pranojë këtë çmim”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.