Mbikëqyrësi i OKB-së: Centrali bërthamor Zaporizhzhia i Ukrainës humbi të gjithë energjinë e jashtme
- Ai tha se centrali "aktualisht mbështetet në energjinë nga gjeneratorët e tij të emergjencës me naftë, duke theksuar situatën jashtëzakonisht të pasigurt të sigurisë bërthamore"

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi, ka deklaruar se centrali bërthamor Zaporizhzhia i Ukrainës, i cili aktualisht është nën kontrollin rus, ka humbur të gjithë energjinë e jashtme, duke e quajtur situatën “jashtëzakonisht të pasigurt”, transmeton Anadolu.
Duke cituar Grossin, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në platformën sociale X tha se centrali humbi të gjithë energjinë elektrike të jashtme në orën 5.36 pasdite me kohën lokale.
Grossi tha se kjo shënon ndërprerjen e nëntë të energjisë elektrike në objekt që nga fillimi i konfliktit dhe të parën që nga fundi i vitit 2023.
Ai tha se centrali "aktualisht mbështetet në energjinë nga gjeneratorët e tij të emergjencës me naftë, duke theksuar situatën jashtëzakonisht të pasigurt të sigurisë bërthamore".
Të mërkurën, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se forcat ukrainase kryen sulme me dronë ndaj uzinës javën e kaluar dhe i bëri thirrje IAEA-s të reagojë.
“Na vjen keq që sekretariati i IAEA-s ka heshtur ndaj këtyre veprimeve nga Kievi. Ne do të kërkojmë që organizatat ndërkombëtare, përfshirë IAEA-në dhe OKB-në, të vlerësojnë siç duhet aktet kriminale të regjimit të Kievit”, tha Zakharova.
Ukraina, atëherë ende pjesë e BRSS-së, ishte vendi i katastrofës bërthamore të Çernobilit në vitin 1986.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.