Bota

Mbi 400 familje ikin nga El-Fasheri, konflikti përshkallëzohet në Darfur të Sudanit

Komiteti i ndihmës tha se shumica e civilëve të zhvendosur janë në kushte të vështira, pa strehim të përshtatshëm dhe pa furnizime të mjaftueshme ushqimore

Rania R.a. Abushamala  | 13.11.2025 - Përdıtësım : 13.11.2025
Mbi 400 familje ikin nga El-Fasheri, konflikti përshkallëzohet në Darfur të Sudanit

Khartoum/Stamboll

Sipas një komiteti sudanez të ndihmës, rreth 450 familje janë larguar nga qyteti El-Fasher për në Karnoi në Darfurin e Veriut pas sulmeve nga forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), transmeton Anadolu.

Këshilli Koordinues i Dhomave të Emergjencave në Darfurin e Veriut tha se kushtet humanitare janë përkeqësuar në Karnoi për shkak të mbërritjeve të reja në qytet.

Komiteti i ndihmës tha se shumica e civilëve të zhvendosur janë në kushte të vështira, pa strehim të përshtatshëm dhe pa furnizime të mjaftueshme ushqimore.

Më tej, komiteti u bëri thirrje organizatave humanitare "të ndërhyjnë urgjentisht për të ofruar mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme për të shpëtuar jetë në Karnoi dhe për të parandaluar përkeqësimin e krizës aktuale humanitare".

Ndërkohë, Dhoma e Emergjencës Dar Hamar, një tjetër komitet ndihme, akuzoi RSF-në për kryerjen e mizorive kundër civilëve në fshatin Samhoun në shtetin e Kordofanit Perëndimor.

"Forcat e RSF-së e kanë shndërruar fshatin në një bazë për kryerjen e plaçkitjeve dhe vjedhjeve të pronave në shkallë të gjerë, përveç rrëmbimit të civilëve të paarmatosur dhe kërkimit të shpërblimit për lirimin e tyre”, tha komiteti.

Sipas burimeve lokale, përleshjet e ashpra sot u rifilluan midis ushtrisë dhe RSF-së në Babnousa në Kordofanin Perëndimor.

"Forcat e ushtrisë zmbrapsën një sulm të RSF-së që synonte qytetin Babnousa dhe selinë e Divizionit të 22-të të Këmbësorisë së ushtrisë", thanë burimet për Anadolu.

Ushtarët sudanezë ndanë video në mediat sociale që tregonin trupat që zmbrapsnin sulmin e RSF-së dhe ruanin kontrollin mbi qytetin.

Më 26 tetor, RSF-ja mori kontrollin e qytetit El-Fasher dhe sipas organizatave lokale dhe ndërkombëtare forcat paraushtarake kryen masakra

Që nga 15 prilli i vitit 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın