Bota

Mbi 100 palestinezë, përfshirë 35 fëmijë, të vrarë në sulmet ajrore izraelite pavarësisht armëpushimit

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal tha se mbi 100 persona, 35 prej tyre fëmijë, u vranë në "masakra të tmerrshme izraelite" në më pak se 12 orë në të gjithë enklavën

Betül Yılmaz  | 29.10.2025 - Përdıtësım : 29.10.2025
Mbi 100 palestinezë, përfshirë 35 fëmijë, të vrarë në sulmet ajrore izraelite pavarësisht armëpushimit Foto: Moiz Salhi/AA

Gaza/Stamboll

Ushtria izraelite që nga mbrëmë në Gaza ka vrarë mbi 100 palestinezë, përfshirë 35 fëmijë, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal në rrjetet sociale njoftoi se mbi 100 persona, 35 prej tyre fëmijë, u vranë në "masakra të tmerrshme izraelite" në më pak se 12 orë në të gjithë enklavën.

"Këto masakra po kryhen para syve të ndërmjetësve dhe komunitetit ndërkombëtar, i cili mbetet i heshtur dhe i paaftë për të ndërmarrë ndonjë hap konkret për të ndaluar gjakderdhjen e vazhdueshme të palestinezëve që ka vazhduar për më shumë se dy vjet", tha Basal.

Duke cituar burime mjekësore nga spitalet e Gazës, agjencia shtetërore e lajmeve Wafa tha se 31 persona janë vrarë nga ushtria izraelite në veri, 42 persona në zonat qendrore dhe 18 në pjesën jugore të enklavës. Gjithashtu dhjetëra civilë u plagosën në sulme.

Mjekët për Anadolu thanë se sulmet izraelite goditën shtëpi, tenda që strehonin civilë të zhvendosur, një automjet, një strehë dhe një spital brenda të ashtuquajturës "vijë e verdhë".

"Vija e verdhë" i referohet zonës në të cilën forcat izraelite janë tërhequr sipas marrëveshjes së armëpushimit, një ndarje fizike që kalon nëpër Rripin e Gazës, duke e ndarë territorin palestinez në gjysmë dhe që ndodhet brenda Gazës, në jug të qytetit Gaza dhe në veri të qytetit Khan Younis.

Në Gazën veriore ushtria izraelite shënjestroi një shkollë të shndërruar në strehë në një zonë në Beit Lahia, duke vrarë tre civilë dhe duke plagosur disa të tjerë. Ushtria izraelite bombardoi dy shtëpi në lagjen Al-Nasr dhe kampin e refugjatëve Al-Shati në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë tetë persona të vdekur.

Trupi i një vajze të re palestineze u nxor nga rrënojat e një shtëpie në lagjen Sabra, duke e çuar numrin e civilëve të vrarë në sulm në pesë. Sot në mëngjes, dëshmitarët për Anadolu thanë se një sulm tjetër izraelit goditi një xhami që strehonte persona të zhvendosur në lagjen Sabra të qytetit të Gazës.

Dy persona u vranë, 10 u plagosën në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës dhe një numër civilësh ende mungojnë nën rrënojat e një shtëpie që u shënjestrua nga sulmet e ushtrisë. Disa të tjerë u plagosën në një sulm tjetër në jugperëndim të lagjes Zeitoun.

Një nënë palestineze dhe fëmija i saj u vranë nga ushtria izraelite në lagjen Tel al-Hawa të qytetit të Gazës.

Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, katër persona u vranë pasi një sulm izraelit goditi tendën e tyre në Deir al-Balah. Në pjesët jugore të qytetit, dy civilë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga ushtria izraelite.

Gjithashtu gjashtë persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën kur avionët izraelitë goditën një shkollë të shndërruar në strehë dhe një shtëpi në kampin e refugjatëve Bureij.

Pesë të tjerë gjithashtu u vranë në sulmet që shënjestruan disa shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Në një sulm të ngjashëm, nëntë persona, katër prej tyre fëmijë, u vranë dhe nëntë të tjerë u zhdukën nën rrënojat e një shtëpie që u godit nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Tetë persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë në zjarrin izraelit mbi tendat që strehonin civilët e zhvendosur në zonën Al-Mawasi në Khan Younis në jug të enklavës.

Burime mjekësore thanë se numri i të vrarëve pritet të rritet për shkak të disa personave që kanë pësuar lëndime kritike dhe kërkimeve të vazhdueshme për ata që janë të zhdukur nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.

Sulmet brutale izraelite erdhën në shkelje të një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor sipas planit 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të gati 2 mijë të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në sulmet në Gaza ka vrarë të paktën 68.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın