Mbi 100 mace të ngordhura u gjetën në shtëpinë e një gruaje në Japoni
Incidenti u raportua në qytetin jugperëndimor të Kumamotos

Ankara
Policia japoneze ka gjetur më shumë se 100 mace të ngordhura në shtëpinë e një gruaje që punonte për një grup për mirëqenien e kafshëve, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
Grupi "Animal Assist Senju" konfirmoi dhe kërkoi falje në mediat sociale, duke postuar fotografi të shtëpisë së mbushur me mbeturina, në qytetin jugperëndimor të Kumamotos, duke thënë se e merr tragjedinë si "shumë seriozisht".
Policia hyri në shtëpi pasi qendra e mbrojtjes së kafshëve të qytetit mori një raport nga një çift që thoshte se një nga macet për të cilat i kishin kërkuar gruas të kujdesej ishte e ngordhur, raportoi transmetuesi publik NHK.
Grupi tha se gruaja ka pranuar mace nga njerëz që janë të detyruar të heqin dorë nga kujdesi për kafshët e tyre shtëpiake.
Gruaja në fjalë i tha policisë se ajo vetë nuk kishte idenë pse kishte ndodhur një gjë e tillë.