Bota

Marrëveshjet Turqi-Maqedoni e Veriut në fusha të ndryshme u publikuan në Gazetën Zyrtare të Turqisë

Marrëveshja për shërbime veterinare dhe siguri ushqimore, si dhe memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në fushën e pylltarisë mes dy vendeve janë publikuar në Gazetën Zyrtare të Turqisë

Nazlı Yüzbaşıoğlu  | 23.11.2021 - Përdıtësım : 24.11.2021
Marrëveshjet Turqi-Maqedoni e Veriut në fusha të ndryshme u publikuan në Gazetën Zyrtare të Turqisë

Ankara

Marrëveshja mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut për shërbime veterinare dhe siguri ushqimore, si dhe memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në fushën e pylltarisë mes dy vendeve janë publikuar në Gazetën Zyrtare të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi lidhur me miratimin e "Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Fushën e Politikave të Shërbimeve Veterinare dhe Sigurisë Ushqimore mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë se Republikës së Maqedonisë së Veriut" të nënshkruar më 20 janar 2021 në Ankara; synon të lehtësojë tregtinë e bagëtive, ushqimeve, produkteve medicinale veterinare dhe ushqimit të kafshëve, si dhe të parandalojë hyrjen e sëmundjeve infektive të kafshëve, produkteve dhe produkteve ushqimore që janë të dëmshme për shëndetin publik, në të dy vendet.

Sipas kësaj, importi dhe kalimi transit i dërgesave që përmbajnë kafshë, ushqime, produkte medicinale veterinare dhe ushqime për kafshë ndërmjet dy vendeve mund të bëhet vetëm në rast se respektohen kërkesat e përcaktuara nga dispozitat e sigurisë veterinare, ushqimore dhe të ushqimeve të kafshëve të vendit importues, të garantuara nga certifikata ose vërtetimi i lëshuar nga autoritetet kompetente të vendit eksportues.

Marrëveshja mbulon çështje si; certifikatat shëndetësore veterinare që do të publikohen në turqisht, maqedonisht dhe anglisht, bashkëpunimin me shërbimet veterinare dhe sigurinë e ushqimit, si dhe hapat që duhet të ndërmerren në rast të zbulimit të sëmundjeve infektive të kafshëve.

Bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut në fushën pylltarisë

Ndërkohë, edhe vendimi për miratimin e "Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Pylltarisë mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë se Republikës së Maqedonisë së Veriut" i nënshkruar më 20 janar 2021 në Ankara, është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Sipas kësaj, të dyja vendet do të bashkëpunojë nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, përvojës dhe teknologjisë mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfitimit reciprok, duke u bazuar në rregullat dhe legjislacionin e brendshëm ligjor për mbrojtjen, zhvillimin dhe menaxhimin e burimeve pyjore.

Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë fushë mbulon menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, teknikat e pylltarisë dhe korrjes, industrinë e produkteve pyjore, mundësitë e shitjes dhe marketingut, përcaktimin e vlerave të shërbimeve pyjore, ekonominë e gjelbër, prodhimin e druve të zjarrit dhe prodhimin efikas të energjisë së pastër nga druri.

Gjithashtu, të dy vendet do të bashkëpunojnë për çështje të tilla si rritja e përfitimeve të pyjeve lidhur me inventarin e pyjeve, ekoturizmin, mbajtjen e ujit si dhe mbrojtjen e tokës, luftimin e zjarreve në pyje, sëmundjeve, insekteve dhe prerjeve të paligjshme dhe mbrojtja e biodiversitetit.

Sipas memorandumit të mirëkuptimit, mes dy vendeve do të krijohet një komitet i përbashkët i cili do të mbajë takime të rregullta të paktën një herë në vit për të kryer aktivitetet lidhur me këtë temë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.