Marrëdhëniet NATO-Japoni do të forcohen në kuadër të "sigurisë globale"
Kryeministri japonez, Kishida i cili planifikon të rrisë koordinimin me Perëndimin, thuhet se mund të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të mbahet në fund të muajit në Madrid

Tokio
Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali-lejtnant Rob Bauer dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Japonisë, gjenerali Yamazaki Koji, ranë dakord për forcimin e marrëdhënieve me qëllim për të kontribuar në sigurinë globale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjenerali Yamazaki u takua me kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin-lejtnant Bauer i cili ndodhet në Tokio me qëllimin për të thelluar bashkëpunimin dypalësh NATO-Japoni.
Në takimin ku u diskutuan reflektimet e mundshme në Indo-Paqësor të sulmeve të Rusisë në Ukrainë, Yamazaki dhe Bauer u dakorduan për forcimin e marrëdhënieve reciproke për mbështetjen e sigurisë globale.
Bauer, në takim tha se presidenti rus Vladimir Putin "po përpiqet që me ligjin e fuqisë të shkatërrojë fuqinë e ligjit" dhe se kriza në fjalë është më e madhe se Ukraina dhe Evropa.
Duke tërhequr vëmendjen se Japonia është "Partneri më jetëgjatë jashtë zonës Euro-Atlantike" i aleancës ushtarake me 30 anëtarë, Bauer më tej i ka cilësuar si "jetike" kontributet e qeverisë së Tokios për aleancën.
Gjenerali Yamazaki në takim tha se "siguria e Evropës dhe Indo-Paqësorit është e pandashme" dhe se "bashkëpunimi i forcuar i vendit të tij me NATO-n është "i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin botëror".
Kryeministri japonez, Fumio Kishida i cili planifikon të rrisë koordinimin me Perëndimin kundër ngjarjeve të papritura në rajon, thuhet se mund të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të mbahet në fund të muajit në Madrid.