Bota

Marina Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar pritet të udhëheqë koalicionin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Nisma do të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë shumëkombëshe që përfshin aleatë si SHBA-ja dhe Franca, për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare nëpër këtë ngushticë, e cila është një nga rrugët më kritike të transportit në botë

Melike Pala  | 24.03.2026 - Përdıtësım : 24.03.2026
Marina Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar pritet të udhëheqë koalicionin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Bruksel

Marina Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar po përgatitet të marrë një rol udhëheqës në operacionet e mundshme të koalicionit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.

Sipas një raporti të publikuar nga gazeta The Times, zyrtarët britanikë të mbrojtjes po shqyrtojnë plane për të dislokuar një anije të Marinës Mbretërore ose një anije komerciale të marrë me qira për të shërbyer si “anije amë” për sisteme autonome pa ekuipazh, të dizajnuara për të zbuluar dhe neutralizuar minat detare në këtë rrugë ujore strategjike.

Nisma do të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë shumëkombëshe që përfshin aleatë si SHBA-ja dhe Franca, për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare nëpër këtë ngushticë, e cila është një nga rrugët më kritike të transportit në botë.

Zyrtarët e cituar nga The Times thanë se operacioni mund të zhvillohet në disa faza.

Faza fillestare do të përqendrohet në kërkimin e minave përmes sistemeve të avancuara autonome të lëshuara nga anija amë, ndërsa faza e dytë mund të përfshijë dislokimin e mjeteve sipërfaqësore pa ekuipazh së bashku me shkatërruesit e Marinës Mbretërore të tipit 45,ose vetëm këta shkatërrues, për të mbrojtur tankerët që kalojnë në zonë.

“Kemi kapacitete të nivelit botëror për kërkimin autonom të minave, kapacitete të shkëlqyera me shkatërruesit tanë të tipit 45, si dhe zhvillimin e konceptit të marinës hibride, që na jep mundësi të shmangim vendosjen e personelit në rrezik për të ndihmuar në sigurimin e ngushticës”, tha një zyrtar.

Zyrtarët britanikë të mbrojtjes besojnë se në ngushticë janë vendosur mina detare, megjithëse ende ekziston “një rrugë e qartë”, pasi anije nga India, Pakistani dhe Kina kanë vazhduar të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.

Përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme ka vazhduar që nga 28 shkurti, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit, duke vrarë deri tani më shumë se 1.340 persona, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme të përsëritura me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane.

Ngushtica e Hormuzit është gjithashtu e kufizuar ndjeshëm që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi nafte kalojnë zakonisht çdo ditë nëpër të dhe ndërprerja e saj ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë lart çmimet globale të naftës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.