Bota

Maqedonci takon në Stamboll homologun turk Güler

- Maqedonci theksoi se diskutuan bashkë për situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar rëndësinë e mbështetjes që Kosova po merr nga Turqia

Agim Sulaj  | 23.07.2025 - Përdıtësım : 23.07.2025
Maqedonci takon në Stamboll homologun turk Güler Foto: Ejup Maqedonci - FB

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar me homologun turk Yaşar Güler, në kuadër të Panairit të Industrisë së Mbrojtjes i cili po mbahet në Stamboll, transmeton Anadolu.

Maqedonci nëpërmjet rrjeteve sociale e konsideroi takimin me homologun Güler produktiv dhe theksoi se diskutuan bashkë për situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar rëndësinë e mbështetjes që Kosova po merr nga Turqia.

Maqedonci tha se bashkëbisedimi me ministrin Güler ishte jashtëzakonisht pozitiv gjersa shtjelluan mundësi të reja bashkëpunimi me qëllim ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës.

“E veçanta e këtij takimi ishte diskutimi mbi rolin strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit. Ky projekt do të rrisë ndjeshëm aftësitë e FSK-së, do të mundësoj vet-qëndrueshmëri logjistike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Kosova, duke forcuar strukturat e saj mbrojtëse, do të jetë në një pozicion më të mirë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe për të ndihmuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit”, theksoi Maqedonci.

Ai tha se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke sjellë në vëmendje se marrëdhëniet Kosovë-Turqi janë thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“U dakorduam për vazhdimësinë e bashkëpunimit si element kyç, strategjik për sigurinë e rajonit”, shtoi Maqedonci.

Panairi i Industrisë së Mbrojtjes në Stamboll paraqet një ngjarje të rëndësishme për avancimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ku përveç figurave të larta shtetërore të Turqisë, po marrin pjesë dhe ministra të mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın