Malta do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
"Pozicioni i Maltës ka qenë gjithmonë i qëndrueshëm, duke mbështetur paqen në Lindjen e Mesme përmes dialogut dhe themelimin e dy shteteve", tha kryeministri i Maltës, Robert Abela

Stamboll
Malta do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, tha sot kryeministri maltez, Robert Abela ndërsa mbërriti në New York për të marrë pjesë në asamble, transmeton Anadolu.
Njoftimi vjen si pjesë e një angazhimi politik që ai premtoi më parë dhe pasqyron mbështetjen e gjatë të Maltës për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, tha Zyra e kryeministrit në një deklaratë.
"Pozicioni i Maltës ka qenë gjithmonë i qëndrueshëm, duke mbështetur paqen në Lindjen e Mesme përmes dialogut dhe themelimin e dy shteteve", tha Abela duke riafirmuar se njohja synon të forcojë përpjekjet drejt zgjidhjes së qëndrueshme.
Ai përsëriti thirrjen e Maltës për lirimin pa kushte të të gjitha pengjeve të mbetura të mbajtura nga Hamasi dhe kërkoi armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës. Abela do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe në New York përpara se t'i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme.
Të dielën, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Portugalia deklaruan njohjen e Palestinës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të shteteve anëtare të OKB-së që e kanë ndërmarrë këtë hap në 153 nga 193.
Njëmbëdhjetë vende të tjera, përfshirë Maltën, Luksemburgun, Francën, Belgjikën dhe Armeninë, deklaruan plane për të zgjeruar njohjen gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj në New York, ku udhëheqësit botërorë do të mblidhen të hënën për debatin e nivelit të lartë.