Malajzia shqyrton veprime ligjore kundër X për shkak të shqetësimeve për sigurinë e përdoruesve
Ministri i Komunikimit, Fahmi Fadzil tha se Komisioni Malajzian i Komunikimit dhe Multimedias (MCMC) "po shqyrton mundësinë për të çuar platformën X në gjykatë"
Stamboll
Malajzia po shqyrton padi kundër platformës amerikane të mediave sociale X për dështimin në sigurimin e sigurisë së përdoruesve, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
Ministri i Komunikimit, Fahmi Fadzil tha se Komisioni Malajzian i Komunikimit dhe Multimedias (MCMC) "po shqyrton mundësinë për të çuar platformën X në gjykatë", duke përmendur shqetësime për përmbajtjen e dëmshme që qarkullon në rrjetin social, sipas "Free Malaysia Today".
"Ata po shqyrtojnë mundësinë e çuarjes së X në gjykatë", tha Fadzil.
Vërejtjet e tij erdhën pasi Malajzia bllokoi chatbot-in e Grok-ut për shkak të keqpërdorimit të tij të dyshuar për të gjeneruar imazhe të manipuluara.
Malajzia dhe Indonezia janë bërë vendet e para që kanë bllokuar Grok-un, një chatbot me inteligjencë artificiale të zhvilluar nga xAI i Elon Musk-ut, duke përmendur shqetësime se po përdorej për të krijuar imazhe të manipuluara, seksualisht eksplicite dhe jo konsensuale.
I lançuar në vitin 2023, Grok-u është i disponueshëm përmes X dhe u lejon përdoruesve të bëjnë pyetje dhe të gjenerojnë përmbajtje. Një veçori e gjenerimit të imazheve e shtuar vitin e kaluar mundësoi krijimin e imazheve seksualisht eksplicite.
Të hënën, rregullatori i sigurisë online i Mbretërisë së Bashkuar, "Ofcom", hapi hetim formal ndaj X lidhur me shqetësimet se chatbot po përdoret për të gjeneruar imazhe të seksualizuara, duke shtuar kështu shqyrtimin ndërkombëtar në rritje të platformës.
