Makina përplaset me tifozët e Liverpool FC që po festonin titullin e Premierligës Angleze
Një burrë 53-vjeçar i bardhë është arrestuar pasi një automjet përplasi këmbësorët në Water Street, tha policia

Gjenevë
GJENEVË/LONDËR (AA) - Një burrë u arrestua pasi një makinë u përplas me një grup tifozësh të Liverpoolit që po festonin titullin e klubit në Premierligën Angleze në qendër të qytetit sot në mbrëmje, tha policia e Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Anadolu.
Policia e Merseysideit tha në një deklaratë se aktualisht po merret me një aksident rrugor dhe se oficerët janë kontaktuar menjëherë pas orës 6:00 të mbrëmjes sipas kohës lokale pas raportimeve se një makinë është përplasur me një numër këmbësorësh në Water Street, ku ishin mbledhur tifozë.
“Makina u ndal në vendngjarje dhe një mashkull është ndaluar”, tha policia.
“Shërbimet e emergjencës janë aktualisht në vendngjarje”, shtoi ajo.
Në një deklaratë të mëvonshme, policia identifikoi individin e arrestuar si “burrë 53-vjeçar britanik i bardhë nga zona e Liverpoolit”.
Policia u kërkoi njerëzve “të mos spekulojnë mbi rrethanat” e incidentit dhe se “hetime të gjera” janë duke vazhduar për të përcaktuar rrethanat që çuan në përplasje.
Pamjet që qarkullojnë në internet tregojnë skena kaotike ndërsa disa tifozë duken duke u shtyrë zvarrë nga automjeti përpara se të ndalonte. Në vendin e ngjarjes pati britma dhe panik ndërsa shërbimet e emergjencës nxituan në vendngjarje.
Shërbimi i Ambulancës Veriperëndimore lëshoi një deklaratë duke thënë se “aktualisht po vlerëson situatën dhe po punon së bashku me shërbimet e tjera të emergjencës”.
“Prioriteti ynë është të sigurohemi që kushdo që ka nevojë, të marrë ndihmë mjekësore sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi shërbimi.
“Skenat në Liverpool janë të tmerrshme – mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë lënduar ose prekur”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në X.
“Dua të falënderoj policinë dhe shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre të shpejtë dhe të vazhdueshëm ndaj këtij incidenti tronditës”, shtoi ai.