Bota

Maduro urdhëron ushtrinë për stërvitje në kufirin me Kolumbinë

Maduro i cili akuzon presidentin kolumbian, Ivan Duque, për planifikimin e një sulmi ndaj tij, urdhëroi ushtrinë e Venezuelës që të zhvillojë të paktën dy javë stërvitje në kufirin me Kolumbinë

Nuri Aydın   | 04.09.2019
Maduro urdhëron ushtrinë për stërvitje në kufirin me Kolumbinë

Ankara

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, urdhëroi ushtrinë e Venezuelës që të kryejë stërvitje përgjatë kufirit me Kolumbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të Associated Press, Maduro i cili akuzon presidentin kolumbian, Ivan Duque, për planifikimin e një sulmi ndaj tij, urdhëroi ushtrinë e Venezuelës që të zhvillojë të paktën dy javë stërvitje në kufirin kolumbian, duke filluar nga 10 shtatori.

"Qeveria kolumbiane nuk dëshiron paqe. Ajo dëshiron dhunë, dëshiron luftë", është shprehur Maduro gjatë një fjalimi drejtuar ushtarëve në një ceremoni të transmetuar dje drejtpërdrejtë.

Deklarata e Maduros ka tërhequr vëmendjen se ajo ka ardhur pasi Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, tha që do të ndahen informacione satelitore me administratën kolumbiane lidhur me çështjen për ndjekjen e guerilëve që hyjnë në vend dhe që kryejnë trafikimin e drogës.

"Ne kemi parë video ku grupet tregojnë armët e tyre. Ne po përballemi me një problem serioz me sovranitetin e Venezuelës", tha kreu i opozitës Guaido duke i bërë thirrje ushtrisë së Venezuelës që urgjentisht të largojë grupet terroriste nga territori.

Gjithashtu edhe një nga zëdhënësit e Maduros akuzoi presidentin kolumbian, Duque, për lejimin e grupeve të armatosura të stërviteshin në kampe brenda Kolumbisë për të rrëzuar Maduron.

- Akuzat mes dy vendeve

Akuzat erdhën pasi u rrit tensioni mes dy vendeve fqinjë. Për shkak të vendimit për riarmatosje nga disa udhëheqës të ish-Forcave të Armatosura Revolucionare Kolumbiane (FARC) në Kolumbi, presidenti kolumbian, Ivan Duque, akuzoi Maduron për "sigurimin e strehimit për liderët kryengritës".

Në një konferencë shtypi, ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza, duke bërë të ditur se ishin të shqetësuar për vendimin e disa prej drejtuesve të FARC për riarmatosje, ai i ka cilësuar "një paturpësi të plotë" akuzat e Duque ndaj Maduros.

- Riarmatosja e ish-liderëve të FARC

Ivan Marquez, i cili kryen rolin e kryenegociatorit të organizatës në marrëveshjen e paqes mes qeverisë së Kolumbisë dhe FARC, në një video të postuar njoftoi se organizata po riarmatoset dhe se ka "kaluar në një fazë të re në luftën e armatosur".

Në video Marquez, përreth të cilit vërehen ish liderë të FARC, ka theksuar se qeveria ka tradhtuar marrëveshjen e paqes dhe se për këtë arsye po armatosen sërish.

"Shteti nuk i ka përmbushur detyrimet e tij më të rëndësishme, nuk ka mbrojtur të drejtën e jetës së qytetarëve dhe nuk ka hequr dorë nga atentatet, të zhvilluara veçanërisht për arsye politike", tha Marquez. Ai më pas deklaroi se ata do të zbatonin taktika të ndryshme pas kësaj, do t'u përgjigjen vetëm sulmeve kundër tyre dhe sipas tij ata nuk do të rrëmbenin njerëz për shpërblimin.

Nga ana tjetër, ish-udhëheqësi i FARC dhe kryetari i përgjithshëm i partisë së re politike Forca Alternative Revolucionare e Shoqërisë (FARC), Rodrigo Londono, kundërshtoi vendimin e ish-liderëve për t’u riarmatosur. "Ky është një lajm shumë për të ardhur keq. Disa miq kanë humbur dëshirën për të ndjekur rrugën e paqes, por ne do të vazhdojmë në këtë rrugë. Rruga që do të ndjekin të gjithë tani është përcaktuar", është shprehur Londono.

- Organizata braktisi armët pas gjysmë shekulli

Pas një periudhe prej më shumë se gjysmë shekulli konfliktesh, FARC ia dorëzoi me një ceremoni armën e saj të fundit Kombeve të Bashkuara (OKB) më 27 qershor 2017.

Në ceremoninë e zhvilluar në zonën e grumbullimit La Guajira në periferi të qytetit Mesetas morën pjesë presidenti i atëhershëm kolumbian, Juan Manuel Santos, shefi i Misionit të OKB-së në Kolumbi, Jean Arnault dhe drejtuesi i organizatës Rodrigo Londono.

Londono deklaroi se ata kurrë më nuk do të mbanin armë në dorë.

Konfliktet në Kolumbinë e cila ka një popullsi më shumë se 48 milionë banorë të cilat zgjatën për më shumë se gjysmë shekulli shkaktuan vdekjen e afro 260,000 njerëzve dhe migrimin e më shumë se 6 milionë të tjerëve. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın