Macron: Sulmet e Izraelit në Gaza që shkaktojnë vdekjen e civilëve dhe gazetarëve janë të papranueshme
"Dënimi i një popullsie me uri është një krim që duhet të ndalet menjëherë", tha presidenti francez Macron duke kritikuar gjithashtu sulmet izraelite që vranë gazetarë dhe civilë
Ankara
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi se sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat vranë 5 gazetarë dhe shumë civilë janë "të papranueshme", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X, Macron tha se ka biseduar në telefon me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani me të cilin ka diskutuar për situatën në Gaza.
"Dënimi i një popullsie me uri është një krim që duhet të ndalet menjëherë", tha Macron duke kritikuar gjithashtu sulmet izraelite që vranë gazetarë dhe civilë.
"Sot në mëngjes, sulmet e reja të Izraelit ndaj një spitali në Gaza çuan në vdekjen e shumë civilëve dhe gazetarëve. Kjo është e papranueshme, civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen me çdo kusht. Mediat duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre lirisht dhe në mënyrë të pavarur për të pasqyruar realitetin e konfliktit. Ndihma humanitare duhet të jetë në gjendje të hyjë (në Gaza). Ne i bëjmë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar", tha Macron.
Duke përsëritur thirrjen e tij për armëpushim të përhershëm, Macron tha se ata po punojnë ngushtë me Katarin për konferencën e Kombeve të Bashkuara (OKB) që do të mbahet në New York të SHBA-së, më 22 shtator mbi një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
- Ushtria izraelite shënjestroi spitalin "Nasser"
Ushtria izraelite mëngjesin e sotëm kreu dy sulme të ndara në spitalin "Nasser" në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës thuhet se 20 në sulmet e kryera ndaj spitalit "Nasser", u vranë 20 pealestinezë, përfshirë 5 gazetarë dhe 5 punonjës të kujdesit shëndetësor.
Në një deklaratë me shkrim, ushtria izraelite e cila mori përgjegjësinë për sulmin, pavarësisht se ka vrarë 244 gazetarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 " mbrojti idenë se nuk ka shënjestruar drejtpërdrejt gazetarët" dhe njoftoi se ka nisur një hetim për incidentin.
Në sulmin e fundit humbën jetën fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa, gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
