Macron: Rritja e çmimeve të naftës “në asnjë mënyrë” nuk justifikon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë
“Situata në asnjë mënyrë nuk justifikon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha Macron gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin Zelenskyy
Stamboll
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka përjashtuar mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë ndërsa çmimet e naftës u rritën mes tensioneve në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
“Situata në asnjë mënyrë nuk justifikon heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, tha Macron gjatë një konference të përbashkët për media në Paris me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Ai theksoi se Rusia “gabon” nëse beson se “lufta në Iran do t’i ofrojë një pushim”.
“Konteksti i rritjes së çmimeve të naftës në asnjë mënyrë nuk duhet të na çojë të rishqyrtojmë politikën tonë të sanksioneve ndaj Rusisë. Ky është qëndrimi që ka marrë G7 dhe është padyshim qëndrimi i Francës dhe i Evropës”, tha Macron.
Ai gjithashtu rikonfirmoi se “asgjë nuk do ta largojë” Parisin nga Ukraina, duke përsëritur “vendosmërinë” për të vazhduar ofrimin e pajisjeve të nevojshme për Kievin.
Që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt, të cilat deri tani kanë vrarë rreth 1.300 persona, përfshirë liderin e atëhershëm suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, armiqësitë janë përshkallëzuar.
Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.
Teherani gjithashtu e ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit që nga 1 marsi. Kjo rrugë ujore transporton rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë dhe afërsisht 20 për qind të tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
