Macron i kërkon Izraelit të ndërpresë sulmet që “nuk lidhen me programin bërthamor të Iranit”
- Macron tha se Franca është "thellësisht e shqetësuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm, me sulmet izraelite që shënjestrojnë gjithnjë e më shumë objektiva që nuk lidhen me aktivitetet bërthamore dhe balistike të Iranit"

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Izraelit të ndërpresë menjëherë sulmet ushtarake që "nuk lidhen me programin bërthamor dhe balistik të Iranit", duke shprehur shqetësim për një numër në rritje të viktimave civile si në Iran ashtu edhe në Izrael, transmeton Anadolu.
Duke folur pas një takimi të këshillit të mbrojtjes dhe sigurisë në Pallatin Elysee mbi situatën në Lindjen e Mesme, Macron tha se Franca është "thellësisht e shqetësuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm, me sulmet izraelite që shënjestrojnë gjithnjë e më shumë objektiva që nuk lidhen me aktivitetet bërthamore dhe balistike të Iranit".
Siç raporton transmetuesi francez BFMTV, Macron theksoi se një "zgjidhje e qëndrueshme" për programin bërthamor dhe balistik të Iranit mund të arrihet vetëm përmes negociatave.
Sipas një deklarate nga Elysee, ai përsëriti angazhimin e Francës për një dialog "të sinqertë dhe të vendosur" me Teheranin, veçanërisht në lidhje me aktivitetet e tij destabilizuese në rajon.
Macron gjithashtu kërkoi nga ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, të ndërmarrë një iniciativë "në ditët në vijim" me partnerë të ngushtë evropianë për të propozuar një "zgjidhje të negociuar" që synon t'i japë fund konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.
Natyra e iniciativës nuk është detajuar ende, megjithëse Barrot ishte i pranishëm në takim së bashku me kryeministrin francez, Francois Bayrou dhe ministrin e Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.
Macron gjithashtu udhëzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të marrë masat e nevojshme për të lehtësuar largimin e shtetasve francezë nga Irani dhe Izraeli që dëshirojnë të largohen.
Ai edhe një herë këshilloi fuqimisht kundër çdo udhëtimi në asnjërin vend.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli nisi sulme ajrore në shumë lokacione në të gjithë Iranin, duke përfshirë objektet ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.
Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të plagosur në sulmet me raketa iraniane.
Ndërkohë, në Iran, sipas raporteve të mediave iraniane, 585 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.300 të plagosur në sulmin izraelit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.