Macron: Gaza nuk është pronë e boshatisur, është shtëpia e 2 milionë njerëzve
"Përgjigjja e duhur nuk është një operacion i pasurive të paluajtshme, ky është një operacion politik", tha Macron duke folur për propozimin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza
Istanbul
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka kritikuar propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, duke pohuar se një veprim i tillë do të ishte shkelje e të drejtave të palestinezëve dhe ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
"Nuk mund t'u thuash 2 milionë njerëzve 'Në rregull, tani gjeje çfarë? Ju do të lëvizni'", tha Macron mbrëmë në një intervistë për CNN në Pallatin Elysee.
"Përgjigjja e duhur nuk është një operacion i pasurive të paluajtshme, ky është një operacion politik", theksoi ai, duke folur për propozimin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
Së fundmi, Trump përshkroi një plan të diskutueshëm për zhvendosjen e palestinezëve në Egjipt dhe Jordaninë fqinje, ndërkohë që përkrahu "pronësinë afatgjate" të Gazës nga SHBA-ja.
Ai gjithashtu propozoi rizhvillimin e territorit në një destinacion luksoz, një propozim i mbështetur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe nga disa grupe të kolonëve të ekstremit të djathtë në Izrael.
Macron, i cili ndërkohë ripohoi mbështetjen e Francës për sigurinë e Izraelit, ka qenë i zëshëm duke kritikuar operacionet ushtarake izraelite në Gaza dhe Liban. Franca në tetor të vitit 2024 pezulloi eksportet e armëve në Izrael dhe u bëri thirrje vendeve të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.
"Unë gjithmonë kam përsëritur mosmarrëveshjen time me kryeministrin Netanyahu. Unë nuk besoj se një operacion kaq masiv, që ndonjëherë shënjestron njerëzit civilë, është përgjigjja e duhur", tha Macron.
Presidenti francez theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës së palestinezëve për të qëndruar në atdheun e tyre, duke shtuar se fuqitë rajonale si Jordania dhe Egjipti gjithashtu e kanë refuzuar propozimin e zhvendosjes.
Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar gjerësisht planin e Trumpit. OKB-ja paralajmëroi kundër asaj që e përshkroi si "spastrim etnik", ndërsa ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares, deklaroi pa mëdyshje se "toka e Gazës është Gaza".
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e quajti idenë "të papranueshme", ndërsa ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, paralajmëroi se zhvendosja e detyruar do të çonte në vuajtje dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme.
Edhe sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dukej se pranoi shqetësimet e Trumpit për shkatërrimin e Gazës, por ripohoi angazhimin e Britanisë për një zgjidhje me dy shtete.
