Macron: Franca nuk dëshiron luftë në Lindjen e Mesme, nuk do të përfshihet në konflikt
Duke iu përgjigjur një përdoruesi të mediave sociale, presidenti francez thotë se Parisi "nuk është në luftë" dhe nuk do të përfshihet në luftë
Stamboll
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se Franca "nuk po zhvillon luftë" në Lindjen e Mesme dhe nuk do të përfshihet në konfliktin e vazhdueshëm në rajon, transmeton Anadolu.
Macron i bëri këto komente në një mesazh zanor të ndarë në Instagram në përgjigje të një përdoruesi të ri të mediave sociale i cili shprehu shqetësim në lidhje me pasojat e ofensivës izraelito-amerikane kundër Iranit.
"E kuptoj shumë mirë dhe e dëgjoj shqetësimin tuaj, por doja të isha shumë i qartë. Franca nuk është pjesë e kësaj lufte. Ne nuk jemi në luftë dhe nuk do të përfshihemi në këtë luftë", tha Macron.
Ai theksoi se veprimet e Parisit në rajon janë të përqendruara në mbrojtjen e qytetarëve dhe aleatëve të saj dhe jo në pjesëmarrjen në konflikt, raportoi BFMTV.
"Franca nuk po zhvillon luftë në rajon. Ajo po mbron burrat dhe gratë franceze, aleatët e saj dhe qëndron me Libanin", tha Macron.
Franca ka vendosur mjete shtesë ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen franceze "Charles de Gaulle", ndërsa tensionet rriten pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe hakmarrjes pasuese të Teheranit.
Sipas Macronit, vendosjet e trupave synojnë të ndihmojnë aleatët të kapin dronët dhe raketat dhe të mbrojnë rrugët detare.
"Ne po mobilizohemi në një mënyrë plotësisht paqësore për të siguruar trafikun detar", tha ai.
Macron tha gjithashtu se Franca po kërkon të ndërtojë një koalicion me partnerët për të mbrojtur rrugët detare në rajon që janë "thelbësore për ekonominë globale", ndërsa theksoi se Parisi synon të veprojë me përmbajtje.
"Ne do të përpiqemi të jemi sa më të arsyeshëm dhe paqësorë të jetë e mundur sepse ky është roli i Francës", shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
